Pilotët e Formulës 1, përfituan 365 milion dollarë vetëm paga në këtë sezon, i 3-ti më i paguari kampioni i botës, Norris…Hamilton 2-ti
Në moshën 26- vjeçare, Lando Norris është tashmë një veteran i vërtetë i Formulës 1.
Britaniku garon në elitë që nga viti 2019 dhe falë sezonit të tij spektakolar 2025, ai është bërë një nga pilotët e paktë aktivë që mund të mburret me një titull kampioni bote. Të tjerët janë Luis Hamilton, Fernando Alonso dhe Maks Vershtapen.
Pikërisht ky i fundit, piloti holandez, ia rrëmbeu kurorën Norrisit në vitin 2024, por këtë sezon renditja u përmbys. Megjithatë, diferenca ishte minimale: vetëm 2 pikë ndanë Landon nga Vershtapen (423 kundrejt 421), diferenca më e vogël që nga sezoni 2008, kur titulli u vendos me vetëm 1 pikë. Talenti nga Bristoli u shpall kampion bote në Abu Dabi, duke u bërë piloti i tetë që fiton një titull me MekLarenin.
Lista e paraardhësve të tij është mbresëlënëse: Emerson Fitipaldi, Xhejms Hant, Alen Prost, Niki Lauda, Airton Senna, Mika Hakinen dhe Luis Hamilton. Norris i bashkohet këtij klubi elitar me meritën shtesë se i ka dhënë fund dominimit të dyfishtë të Red Bullit dhe Mercedesit, pasi që nga viti 2009 vetëm pilotë të këtyre dy skuadrave kishin fituar kampionatin.
Çfarëdo që të sjellë e ardhmja, Norris tashmë ka hyrë në histori. Prandaj, kur pyetet për një dëshirë për sezonin e ardhshëm, përgjigjja e tij surprizon. Dhe, për të qenë realistë, realizimi i saj duket i vështirë duke parë nivelin që ka treguar Hamilton me Ferrarin në vitin 2025, pa asnjë podium në 24 gara me ngjyrat e makinës nga Maranelo.
“Do të më pëlqente shumë të luftoja pak më shpesh kundër Luisit. Hamilton ka treguar se është, ndoshta, më i miri i të gjitha kohërave. Të gjithë e dinë se nëse dikush mund të rikthehet pas, ai quhej zoti Hamilton dhe do të doja të kisha më shumë beteja me të”, u shpreh Norris për “Sky Sports F1”. Më pas, piloti i MekLarenit shtoi: “Është gjithmonë një privilegj të garosh kundër dikujt që është më i miri në botë. Në pistë ke disa pilotë të tillë të jashtëzakonshëm si Fernando Alonso, Luis Hamilton dhe Maks Vershtapen… Shumë prej nesh duam të ndjekim hapat e tyre”.
Top Channel