“Ju jeni personifikimi i së keqes”, një nënë në SHBA vret vajzën dhe nxjerr nga barku i saj foshnjën e palindur

15/12/2025 21:57

Një çift në SHBA akuzohet për vrasjen brutale të vajzës së tyre dhe foshnjës së saj të palindur.

Sipas Daily Mirror, viktima është Rebecca Park, e cila dyshohet se u vra nga nëna e saj 40-vjeçare dhe njerku i saj 47-vjeçar. Raportohet se Park ishte rreth një javë larg lindjes së fëmijës së saj. Më 3 nëntor, ajo kishte vizituar shtëpinë e prindërve të saj, ndërsa një ditë më vonë familjarët e saj e raportuan të zhdukur në polici. Një dëshmitar okular deklaroi se ditën e zhdukjes e kishte parë Rebekën duke hipur në një automjet.

Pas një hetimi nga autoritetet në një park kombëtar pranë Liqenit Michigan, trupi i saj u gjet, por sipas autopsisë, ajo nuk ishte më shtatzënë.

Dyshimet u përqendruan menjëherë te nëna e viktimës, Courtney Bartholomew, në automjetin e së cilës Rebecca ishte parë të hipte pak para zhdukjes. Më pas, si Courtney ashtu edhe bashkëshorti i saj, Timothy Bartholomew, u arrestuan si të dyshuar për vrasje.

“Ajo është personifikimi i së keqes”, i tha gjykatës prokurorja e çështjes, duke shtuar se çifti jo vetëm që vrau Rebekën, por edhe i nxori me bisturi foshnjën e palindur nga barku.

Sipas prokurores, 47-vjeçari e çoi Rebekën në shtëpinë e tyre dhe, së bashku me gruan e tij, e detyruan të hipte në një automjet tjetër. Ata e çuan në një zonë pyjore, ku e goditën me thikë, e detyruan të shtrihej përdhe dhe i prenë foshnjën nga barku, duke shkaktuar vdekjen e saj dhe të foshnjës. Trupi u la më pas në pyll.

Fillimisht, Courtney mohoi për javë të tëra çdo përfshirje në vrasje. Megjithatë, ajo dyshohet se e ndryshoi dëshminë kur hetuesit i treguan se të dhënat telefonike e vendosnin në vendin ku u gjet trupi natën e krimit. Gjatë marrjes së dytë në pyetje, ajo thuhet se pranoi se kishte nxjerrë fetusin nga barku i vajzës me një bisturi.

Courtney u tha hetuesve se qëllimi i saj ishte ta shpëtonte foshnjën dhe t’ia jepte të fejuarit të Rebekës, Richard Lee Falor, por sipas saj, foshnja nuk po merrte frymë pasi u nxor.

Në deklaratën e saj, ajo pretendoi se ishte bashkëshorti i saj ai që e vrau Rebekën, duke e detyruar të hipte në makinë dhe duke e goditur disa herë me thikë. Sipas saj, në momentin e nxjerrjes së foshnjës, Rebecca ishte ende e vetëdijshme, ndërsa ai i mbante thikën në fyt.

Courtney deklaroi se trupi i Rebekës u shty poshtë një argjinature dhe u mbulua me gjethe, ndërsa fetusi u vendos fillimisht në frigorifer, më pas në një qese mbeturinash dhe u hodh në një kosh plehrash.

Nga ana tjetër, bashkëshorti i saj pretendoi se krimi ishte planifikuar nga Courtney, e cila sipas tij ishte e motivuar nga dëshira për të pasur më shumë fëmijë, pasi ata nuk mund të adoptonin për shkak se ai ishte i regjistruar si shkelës seksual.

Në një zhvillim edhe më tronditës, u zbulua se viktima, nëna dhe motra e saj dyshohet se kishin lidhje me të njëjtin burrë – të fejuarin e Rebekës, Richard Lee Falor.

Po ashtu, Courtney dyshohet se u ka thënë autoriteteve se bashkëshorti i saj ishte babai i foshnjës. “Brad tha se ishte e tija”, citohet t’u ketë thënë ajo oficerëve, sipas dokumenteve hetimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB