“Vallë kaq i fortë jam që të përballoj këtë?”/ U dënuar me burg pas manipulimit të institucioneve shqiptare, rrëfehet Hoxhalli: Po nis një jetë të dytë që…

14/12/2025 21:39

Ermes Hoxhalli ka rikujtuar momentin e hetimit dhe të kohës që ka kaluar duke vuajtur dënimin në burg, duke treguar se ishte shumë i penduar për gjërat që kam kishte bërë.

Si e kujton momentin? Kur e kuptove që po hetoheshe?

Ermes Hoxhalli: Fillimisht policia ka dalë me deklaratë për shtyp që janë ndaluar disa drejtues apo mësues mos gabohem dhe po punohet për persona të tjerë.

Deri në atë moment nuk kishe dijeni apo asnjë sinjal që ishe dhe ti pjesë e këtij njoftimi?

Ermes Hoxhalli: S’flitej me emra.

Nuk ishe kontaktuar më herët?

Ermes Hoxhalli: Jo, unë thjesht pashë lajmin. Madje unë e kam parë si gjë sapo mbarova mësimin. Kisha dhe provim. Dhe thashë ok cdo e mirë e ka një të keqe sado e madhe të jetë kjo e keqe duhet ti dalësh për zot.

Doje të largoheshe?

Ermes Hoxhalli: Absolutisht jo. Ruajta pajisjet celulare.

Nuk fshive asgjë?

Ermes Hoxhalli: Fshiva disa emaile sepse deri diku ndjeja që të shmangia përgjegjësinë nga vetja që të mos bëhesha pjesë në cfarëdo lloj formë te kjo gjë.

Sa ditë nga njoftimi i policisë ata erdhën te ti?

Ermes Hoxhalli: Mbi 25 ditë ose më shumë.

Çfarë bëre ti përgjatë këtij një muaji?

Ermes Hoxhalli: Unë rutinën time të zakonshme.

Mendove që duke kaluar koha, ata nuk do të të gjenin, nuk do zbuloheshe?

Ermes Hoxhalli: Nuk mendova asgjë, thjesht po prisja kur do vinte hallka te unë, edhe ku do të ndalej kjo hallkë.

I the dikujt? Prindërve?

Ermes Hoxhalli: Jo nuk i kam rrëfyer askujt. E kam përjetuar vetë. Tension, mendoja shumë, më vriste ndërgjegja që të dal e të them hapur disa gjëra.

E mendove të dorëzoheshe vete?

Ermes Hoxhalli: Nuk e kam menduar, por në momentin që më është bërë me dije i kam dorëzuar telefonin, laptopin. Edhe pas 20 ditësh nga ky moment është marr vendimi nga Gjykata në mungesë, unë nuk jam njoftuar. Vetëm kur është ekzekutuar nga oficeri i policisë gjyqësore.

Si e pritën familjarët e tu?

Ermes Hoxhalli: Patjetër shumë keq, një familje ku të mëson, që të edukon, të rrit me sakrificë, nuk e ke idenë cfarë është krimi… nuk e ke idenë as të marrësh një gjë pa leje,edhe jo më dicka si kjo, imagjinoni vetë.

A të kanë mbështetur në këtë moment?

Ermes Hoxhalli: Një mbështetje solide nga të gjithë komuniteti im. Njerëzit që kisha punuar me projekte, shoqëria ime si dhe njeriu i zemrës.

Ermes nuk e kishe menduar kurrë burgun në kohën që bëje veprimet?

Ermes Hoxhalli: Asnjëherë.

Dhe kur shkove në burg, me cfarë u përballe?

Ermes Hoxhalli: Duhet të jetë një institucion rehabilitimi por nuk është i tillë. Ditët e para kanë qënë të vështira, të ngarkuara, të mbushura me emocion deri sa kupton si funksionon.

Jetonit në tension me përplasje me njëri tjetrin, apo ishte ambjent i qetë që mund të reflektoje?

Ermes Hoxhalli: Unë nuk isha në dhomë të veçuar. Gjithcka ishte e vështirë aty. Aty mezi kalonin sekondat, minutat, jo më të flasësh për nocionin e ditës apo natës. Duke gjykuar në mënyrë objektive kur të preken interesat në mënyrë të gabuar, e gjykon shumë ashpër sepse cfarë nuk bëhej nga organet e drejtësisë. Si mundet që aty ku isha unë kishte plot të rinj, kryesisht për drogë!

Çfarë ndjesie mbizotëronte më shumë, frikë, vetmi, shqetësim?
Ermes Hoxhalli: Shumë i shqetësuar për çfarë do ndodhte.Stres, ankth, pastaj mundohesh të përshtatesh. Krijova disa miqësi.

Çfarë zbulove diçka nga vetja që nuk e dije duke qëndruar aty?

Ermes Hoxhalli: Pse vallë kaq i fortë jam unë që të përballoj dhe këtë?!

Je penduar për cfarë ka ndodhur?

Ermes Hoxhalli:  Patjetër i penduar, vetëm duke kuptuar gabimin do mund të arrij destinacionet e të ardhmes që më presin.

Si e sheh veten pas periudhës së izolimi?

Ermes Hoxhalli:  Shumë më të zgjuar, por edhe më mosbesues.

Në atë presion që ke qënë, cfarë shprese të mbante?

Ermes Hoxhalli: Me shpresën që kur do vijë ajo ditë që do dalësh. Edhe për çdo njeri që e ka provuar, e di atë ndjesinë kur del është: sikur je një fëmijë që po lind por je i vetëdijshëm që po lind. Një jetë e dytë që nuk duhet shpërdoruar kot.

Gjatë kohës në burg ke hedhur disa mendime?

Ermes Hoxhalli: Është një libër deri diku një autoportret por edhe një mishërimin i ‘Krim dhe Ndëshkim’ i Dostoyevsky. Libri titullohet ‘Krimi i ndershëm’.

Ka krim të ndershëm?

Ermes Hoxhalli: Patjetër që ka, por është nocion filozofik.

Po tani ku je me procesin gjyqësor. Ke shlyer dënimin. Kur e fitove lirinë?

Ermes Hoxhalli: Kam shlyer dënimin, në qershor sapo kam dalë, kam nisur disa procese të tjera ligjore me institucione si Prokuroria, Gjykata kam kallëzuar disa persona për disa veprime të padrejta në mendimin tim. I jam drejtuar Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokuroria ka vendosur mosfillimin e procedimit penal. E kam ankimuar në Gjykatë dhe për më shumë se katër muaj Gjykata nuk shprehet me datë për procesin.

Do e kishe ndërprerë vetë skemën po të mos zbuloheshe?

Ermes Hoxhalli: Jam shumë i keqardhur dhe i penduar për shumë gjëra që kam bërë dhe nëse do ktheja kohën sigurisht që nuk do i bëja, por ky është fati.

Çfarë do kishe bërë nëse do të të jepej një mundësi e dytë?

Ermes Hoxhalli: Nuk do të kisha bërë asnjë vulë, shkrim, editim, asnjë gjë… Do pranoja që të mos shkëlqeja me projekte, të mos kisha shumë gjëra, e këtë nuk do e bëja.

Pra e ke kuptuar dëmin, edhe emocional te nxënësit e përfshirë?

Ermes Hoxhalli: Patjetër një dëm jashtëzakonisht shumë të madh. Unë e di, se me disa prej tyre pas eksperiencës kam biseduar. U kam kërkuar edhe falje, sepse asnjëri nuk ju ka kërkuar falje. Asnjë mësues, asnjë drejtor, asnjë ministër, asnjë zv.ministër, asnjë i përfshirë në këtë gjë. E kam marr peshën e përgjegjësisë dhe u kam thënë ju kërkoj falje. Edhe në këto momente që flasim ju drejtohem me një falje të sinqertë për atë që kanë kaluar. Falje vetëm për nxënësit, jo për mësuesit! Sepse mësuesit supozohet që të jenë klasa intelektuale e këtij vendi.

Mësuesve ju ngarkua ky projekt!

Ermes Hoxhalli: Ata nuk duhet të jenë të përkulur.

Pasi ke fituar lirinë, si ndihesh tani?

Ermes Hoxhalli: Nuk më vret më ndërgjegja sic më vriste më parë, sepse kam kuptuar shumë gjëra. Besoj se do të zbardhet plotësisht një ditë, sepse lart ka zot. Mbase nuk mund të ekzistojë drejtësia këtu në tokë.

Je besimtar Ermes?
Ermes Hoxhalli: Patjetër që besoj, jeta e një njeriu nuk mund të varet nga nje fragment, nga një gabim i tij.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta