Të jetosh çdo ditë me frikën se shtëpia, për të cilën ke punuar një jetë të tërë, mund të shembet nga çasti në çast.

Në këtë realitet të dhimbshëm ndodhet sot Nikolla Çepa, 60 vjeç, nga fshati Dhoksat. Çdo ditë për të dhe familjen e tij është e mbushur me ankth, pasi banesa ku jetojnë është kthyer në një rrezik serioz për jetën.

Me lot në sy, Nikolla tregon se nuk largohet nga shtëpia, sepse çdo gur i saj është ndërtuar me djersën e tij ndër vite. Dhjetë vite më parë, banesa pësoi një dëmtim të lehtë nga tërmeti dhe në atë kohë iu bë edhe një vlerësim i dëmeve. Megjithatë, pavarësisht këtij vlerësimi, ai nuk ka përfituar asnjë ndihmë nga Emergjencat Civile.

Sot situata është përkeqësuar ndjeshëm. Reshjet e dendura të muajit nëntor kanë dëmtuar rëndë strukturën e banesës, duke çarë muret, dobësuar themelet dhe duke e bërë atë plotësisht të pabanueshme. Rreziku është i pranishëm çdo moment, por familja nuk ka asnjë alternativë tjetër strehimi.

E lënë në harresë prej vitesh, familja Çepa vijon të jetojë mes frikës dhe pasigurisë, duke pritur ende një reagim dhe ndihmë nga institucionet përkatëse.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta