“Ca trimosha të BKH nuk donin të linin patllaken”/ BKH reagon pas deklaratës së Ramës: Garda i kërkoi hetuesve të linin armën në dollap, nuk pati debate
Çfarë vëren hetimi? Dëshmitë e mbledhura nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, drejtues shkollash, si dhe zyra vendore arsimore, zbulojnë përpjekjen që Ermesi kishte përmes personazhit surreal “Kleas” të ndërhynte për projektet e tij në lidhje me teatrin.
Pra, qartazi janë zhvilluar dy projekte paralelisht nga Ermesi me Ministrinë e Arsimit, një në skemën e Klea Ramës dhe një me emrin e vetë, kërkesë e dërguar për miratim elektronikisht një javë më vonë pas emailit për “Let’s talk together about United States”, po në shtator të vitit 2023. Sepse, siç tregon ai për Top Channel, dyert pa Klean ishin thuajse të mbyllura.
Por kur me Ministrinë e Arsimit Ermesi arriti vetëm fazën e parë të projektit “Konkurs Kombëtar Teatror Rinor”, në pah del një ministri tjetër. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ku Ermesi është një nga fituesit ndër gati 600 aplikime për projekte në art dhe kulturë. 20-vjeçari ka firmosur kontratë me mbështetje financiare në vlerën 400 000 lekë të reja, për organizimin e një festivali me nxënësit më të mirë aktorë.
Tani është momenti për të folur për çështjen që ka rrëmbyer vëmendjen e opinionit publik, e ka shokuar për nivelin ku mund të shkojë shkalla e mashtrimit. Por më shumë se për personazhin që kishe krijuar, sesa për faktin se sa lehtë depërtohet mbi institucionet shqiptare. A mund të na tregosh se si lindi Klea Rama?
Ermes Hoxhalli: Unë do t’ju them që nuk kam unë autorësinë e këtij personazhi.
Por ju jeni i dënuar, keni kryer burg për këtë vepër.
Ermes Hoxhalli: Patjetër që kam kryer, por kjo nuk do të thotë që drejtësia është perfekte.
Nuk e ndjen veten fajtor?
Ermes Hoxhalli: Unë e ndjej veten fajtor në një pjesë të gjësë, jam pjesë e baltës. Gjithë të tjerët që kanë qenë në lëvizje të këtij personazhi duhet të jenë para drejtësisë. Por u morën vetëm me mua dhe vulat që kisha bërë prej Ambasadës. Kaq. Dhe unë, një çmenduri që e bëra atë gjë. Nuk janë analizuar thelbi, detajet, motivet. Mbylleshin seancat brenda 5 minutash, sa për të mbyllur një dosje dhe për të kaluar në një tjetër.
Kush duhet të jetë para drejtësisë përveç teje?
Ermes Hoxhalli: Kjo gjë ka lindur në Ministrinë e Arsimit dhe ka rrjedhur më pas në të gjithë institucionet e tjera arsimore. Duhet të përgjigjen së pari zyrtarët e ministrisë se si është mundur që është futur ky projekt. Institucionet me të cilat unë jam ende në proces gjyqësor nuk kanë hedhur dritë mbi të vërtetën.
Por ti je i dënuari i vetëm, Ermes. Si e pranove kaq lehtë kur nuk ke qenë vetëm?
Ermes Hoxhalli: Drejtësia për mua është ndërgjegje. Edhe unë nuk e di se si ata flenë gjumë, si jetojnë me këtë barrë mbi supe. Se unë e kam hequr tashmë nga vetja ime.
Por si u bëre pjesë? Si nisi?
Ermes Hoxhalli: U bëra pjesë nga disa persona që njihja.
Si e perceptoje, të dukej si një lojë, si një idealizim i dikujt që do doje të ishe?
Ermes Hoxhalli: Jo si një lojë, por si një marrëdhënie merr edhe jep për diçka si kjo që u bë.
Përfitimi ishte monetar, emocional, të ishe pranë njerëzve me rëndësi?
Ermes Hoxhalli: Një mori e të gjithave, pak nga të gjitha. Mbase kjo do më hapte dyert, sepse unë nuk i kam pasur dyert gjithmonë të hapura.
Mund të na tregosh, duke u rikthyer në hapat e parë në përfshirjen në këtë skemë, cili ka qenë roli yt?
Ermes Hoxhalli: Roli im? Ka qenë editimi i disa vulave, posterave, fotove, email-eve.
Emaile që kishin përmbajtje? Me kë flisje, drejtues shkollash, përfaqësues të Ministrisë?
Ermes Hoxhalli: Emailet kanë qenë thjesht një formë shumë institucionale me përmbajtje, pra e tipit shkresa, orare, dokumente… jo marrëdhënie konfidenciale me këta drejtues, siç e përmendët ju.
Si arritët të përfshinit shkollat në rang kombëtar?
Ermes Hoxhalli: Me urdhër nga Ministria.
Si arritët të bindnit Ministrinë, vetëm me faktin se u prezantuat si mbesa e kryeministrit?
Ermes Hoxhalli: Është dhënë urdhri brenda tre ditësh. Si ka mundësi që jepet urdhri kaq shpejt?
Pse mendove se duhej krijuar ky identitet i Klea Ramës?
Ermes Hoxhalli: Për mbiemrin që kishte.
Pati efekt, siç rezultoi…
Ermes Hoxhalli: Sigurisht që pati efekt. Por që dhe Ermes të ishte aty e të vinte nga ministrja, sigurisht do të kishte efekt. Nga zv.ministrja e institucionet, pastaj të gjitha shkollat janë të detyruara ta zbatojnë si gjë. Ideja është jashtëzakonisht e mirë, por mënyra e gënjeshtërt që është paraqitur është e gabuar, sepse unë jam marrë paralelisht me projekte kombëtare në bashkëpunim me Ministrinë tjetër.
A ka pasur komunikime me zë?
Ermes Hoxhalli: Sigurisht që ka pasur, si mendon se mund të flasësh mbi një vit dhe nuk do të kesh telefonata me zë?
Pse duhej të falsifikoje vulat e Ambasadës?
Ermes Hoxhalli: Për ta bërë procesin sa më të besueshëm.
Çfarë mendove në atë moment… apo nuk e mendove gjatë?
Ermes Hoxhalli: Nuk e mendova.
Si mendove pasojat?
Ermes Hoxhalli: Shiko, kur njeriu gjendet përballë një gjëje të mirë dhe që për të shkuar te ajo duhet të kalojë në pengesa shumë të këqija, gënjehet nga e mira dhe detyrohet ta bëjë pa e menduar në mënyrë të ftohtë.
Pra e besoje që studentët do shkonin me bursë, do udhëtonin drejt Amerikës?
Ermes Hoxhalli: Isha unë ai që bëra vulat dhe e dija që s’do shkonin diku.
I hartoje ti testet?
Ermes Hoxhalli: Jo, testet vinin nga Ministria apo nga QSHA, mos gabofsha, kishin eksperiencë me provimet e maturës.
Kur u trembe? Kur e kuptove çfarë po bëje?
Ermes Hoxhalli: Kur isha pjesë e saj dhe kjo gjë po bëhej shumë e madhe.
Top Channel