“Dëgjova çudira me ca trimosha të BKH”, Rama: Erdhën në Kryeministri dhe nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores

14/12/2025 14:53

Pa eufori për fitoren e parë juridike në Gjykatën Kushtetuese për rikthimin në detyrë të zëvendës kryeministres Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama në komentin e parë pas vendimit të së premtes, e shikon atë si eliminimin e një precedenti unik në botë.

“U zmbraps nga gjykata me e lartë e vendit, një brutalitet alla shqiptarçe në interpretimin e ligjit, i cili goditi organizmin demokratik të shtetit.  Ndërsa në aspektin ndërinstitucional, kjo befasi antikushtetuese dhe antidemokratike, ku një prokuror dhe një gjykatës, morën kompetencat e Kryeministrit, Presidentit, Parlamentit, duke tollovitur shtetin e duke e kthyer një proces ligjor, në një gjyq partizan jashtë kornizës së ligjit, kërkon medoemos një reflektim po kaq ndërinstitucional”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama  më tej e shikon këtë vendim si një frenim të asaj që e quan deri diku abuzim me lirinë që gëzojnë përfaqësuesit e akuzës.

“Jo thjeshtë e vetëm mbi këtë rast, po në tërësi mbi simptomat shqetësuese të ushtrimit me papërgjegjshmëri të pavarësisë së pushtetit të ri të drejtësisë, duke e bërë në, jo një rast, kurën, më të dëmshme se sa sëmundja që  luftojmë bashkërisht.  Kjo shkrepëtimë nuk erdhi në qiell të pastër dhe nuk erdhi as e vetme për fat të keq ose ndoshta për fat të mirë, sepse paralelisht me pezullimin antikushtetues të një ministri, u shpërfaq, këtë here, jo falë, një prokurori e një gjykatësi të vetëm, po falë dy shoqatash të gjyqtarëve të Shqipërisë, një tjetër brutalitet alla shqiptarçe, me hapjen e një gjyqi nga gjykatësit për të rritur pagat e tyre”, shprehet ai.

Pa dhënë detaje specifike kryeministri Edi Rama ka treguar se hetuesit e BKH-s kanë trokitur në derën e kryeministrisë.

“Protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës”, deklaroi Rama.

Pasi ka vlerësuar maksimalisht Altin Dumanin duke i  shprehur  respektit e tij me urimin e çdo të mire në vazhdim kryeministri dha edhe një mesazh për Klodian Brahon drejtuesin e ri të SPAK.

“Ndërkohë që, kryeprokurorit të ri Klodian Braho, i uroj ta çojë SPAK-un në këtë trevjeçar të fundit të ciklit nëntëvjeçar, në një nivel tjetër për sa i takon profesionalizmit në luftën kundër krimit të organizuar, e sidomos në luftën kundër korrupsionit, e cila nuk mund të konsiderohet e përmbushur plotësisht me sukses, nga ana e atij institucioni, nëse maskohet me statistika të nxjerra nga “thesi i madh” siç quhet neni i mjegullt i shpërdorimit të detyrës – për të cilin sapo ka dalë edhe një direktive e re e BE-se – pikërisht për të reflektuar mbi shqetësime që nuk janë vetëm tonat apo me lojra mediatike te llojit Big Brother, me transkripte telefonash te nxjerra në shkelje të ligjit nga dosjet hetimore, për të cilat po ashtu BE-ja ka korniza shumë strikte ligjore. Kam shumë besim se eksperienca e gjashtë viteve, thekson kryeministri arritjet e padiskutueshme, si edhe mundësisht modestia e domosdoshme për të parë me sy vetëkritik punën e deritanishme, mund ta çojnë SPAK-un në nivelin ku duhet të jetë tre vjet nga sot”, shtoi ai.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta