“Armikun e njeh dhe i ruhesh”, Bes Kallaku në podcastin e Grida Dumës: Zhgënjimet më të mëdha vijnë nga njerëzit e afërt…

14/12/2025 21:18

Në podcastin e Grida Dumës, aktori Bes Kallaku ka dhënë intervistën e tij të parë pas një periudhe të gjatë mungese, duke folur hapur për zhgënjimet personale, mosmirënjohjen dhe raportin e tij me besimin.

Duke u ndalur te marrëdhëniet me njerëzit e afërt, aktori theksoi se zhgënjimet më të forta vijnë pikërisht nga ata me të cilët ke ndarë jetën dhe bukën.

“Zhgënjimet më të mëdha janë nga ata që i ke pasur afër, nga ata me të cilët ke ngrënë bukë”, tha Kallaku, duke shtuar se thyerja e bukës për shqiptarët është një ligj i pashkruar.

Në bisedë me Grida Dumën, ai foli edhe për mosmirënjohjen, duke e lidhur atë me ndihmën e dhënë pa kushte.

“Ka diferencë mes me t’dhonë një dorë dhe me t’dhonë bukën. Unë mendoj se shumë njerëzve u kam dhënë jo vetëm dorën, por edhe bukën e përditshme”, u shpreh ai.

Një pjesë e rëndësishme e intervistës ishte dimensioni shpirtëror i jetës së tij. Sipas Kallakut, pastërtia e shpirtit shpesh sjell përplasje me të tjerët.

“Kur shpirti yt është i pastër, pastërtia e tij irriton demonët e të tjerëve përreth”, tha ai.

Duke folur për mungesën e shpresës, sidomos te të rinjtë, Kallaku e cilësoi atë si një problem serioz të kohës. Ai u ndal edhe te përplasja mes së mirës dhe së keqes, duke theksuar besimin e tij se e mira, pavarësisht vështirësive, triumfon.

“Sado të zgjasë nata, do lindë dielli. Kur Zoti është me mua, kush mund të jetë kundër meje?”, tha ai.

Në fund, Bes Kallaku theksoi se rreziku më i madh nuk vjen nga armiku i hapur.

“Armikun e njeh dhe i ruhesh. Frika më e madhe është miku-armik”, u shpreh ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta