Të jesh i ri dhe i papunë në Shqipëri vijon të jetë një realitet shqetësues.
Ky tregues tek të rinjtë mbetet një nga plagët më të mëdha të tregut të punës në Shqipëri teksa rreth 15% e tyre të moshës 15-29 vjeç janë të papunë dhe pothuajse gjysma janë jashtë tregut të punës.Kryesisht për shkak të arsimit, por edhe mungesës së mundësive reale për punësim.
Të dhënat e Instituti të Statistikave tregojnë se ndonëse tregu i punës shfaq disa përmirësime, përfshirja e të rinjve mbetet problematike. Shkalla e punësimit për këtë grupmoshë është vetëm 45.5 për qind, dukshëm më e ulët se mesatarja kombëtare.
Në nivel të përgjithshëm, punësimi ka shënuar një rritje të lehtë tremujore, duke arritur në 1 milion e 178 mijë të punësuar, por krahasuar me një vit më parë, numri i të punësuarve ka rënë. Edhe hendeku gjinor vijon të jetë i theksuar ku punësimi tek burrat është më i lartë se tek gratë.
Paralelisht me punësimin vijojnë dhe pagat. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, paga mesatare mujore bruto arriti në 83 mijë e 300 lekë, me një rritje prej 7.3 për qind në krahasim me një vit më parë.(grafika) Rritja më e madhe e pagave është regjistruar në ndërtim, ndërsa pagat më të larta vijojnë të jenë në financa, sigurime dhe teknologji informacioni.
Ndonëse të dhënat e INSTAT sinjalizojnë se po rriten dhe tregu i punës po lëviz drejt sektorëve më të paguar, sfida kryesore mbetet krijimi i vendeve të punës cilësore dhe gjithëpërfshirëse, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, në një ekonomi që ende nuk arrin të përthithë fuqinë e saj punëtore dhe emigracioni është I lartë.
Top Channel