“Punoi për Ramën në zgjedhjet e 11 majit”/ Hysen Kadiu i përgjigjet Berishës: Sikundër uji i ndenjur prej shumë vitesh ka nevojë për rifreskim…

13/12/2025 21:23

Sot u mbajt mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, e cila u përfshi nga tonet e larta, debate dhe akuza.

Hysen Kadiu, përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se ‘kreu i PD ka hedhur akuza, se gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit kam punuar për Edi Ramën de nuk kam dhënë asnjë kontribut në parti’.

Kadiu i drejtohet Sali Berishës duke thënë se është keqinformuar dhe se këtë e dëshmojnë dhe qytetarët. Ndër të tjera ai shprehet se beteja e demokratëve nuk është me PD, por me demokratët.

Ndër të tjera Kadiu, i cili nuk u përfshi në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare i drejtohet kryedemokratit duke i thënë ‘Sikundër uji i ndenjur prej shumë vitesh ka nevojë për rifreskim, dhe këtë e thonë me zë të ulët edhe ata që përpara Sali Berishës heshtin’.

Reagimi i plotë:

Sot në mbledhje të Kryesisë, kryetari Sali Berisha, ndër të tjera, ka hedhur akuza edhe ndaj meje, se gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit kam punuar për Edi Ramën dhe nuk kam dhënë asnjë kontribut për PD.

I them doktor Berishës dhe të gjithë atyre që i rrinë afër dhe e kanë keqinformuar, se aktiviteti im gjatë fushatës është publik në Facebook-un tim. Sikundër, më mirë se kaq, këtë e dëshmojnë qytetarët e Kavajës dhe zonave përreth, që si në fushatë, para dhe pas saj, kemi qenë në kontakte dhe takime të vazhdueshme.

Beteja jonë nuk është me PD-në dhe demokratët, por me Edi Ramën. Çdokush që përpiqet të hedhë baltë mbi kontributin tim personal dhe të gjithë atyre që duan më të mirën për PD-në, janë të interesuar vetëm për karrigen e tyre.

Demokratët kanë sot më shumë se kurrë nevojë për bashkim dhe jo për përçarje, për organizim dhe jo për “armiq të brendshëm”. Asgjë e keqe nuk i vjen PD-së nga kritikat dhe riorganizimi. Sikundër uji i ndenjur prej shumë vitesh ka nevojë për rifreskim, dhe këtë e thonë me zë të ulët edhe ata që përpara Sali Berishës heshtin.

Ndërsa ne kemi vendosur ta themi me zë të lartë, përpara se të jetë vonë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta