Në serën me 70 lloje domatesh, 27-vjeçari eksperimenton shije të reja: Synoj të studioj tregun dhe të…

13/12/2025 16:25

Bleis Koni, mund të jetë fermeri që zotëron numrin më të madh të llojeve të domateve në të gjithë Shqipërinë, pasi nuk kultivon vetëm domatet klasike, por edhe ato që shijen dhe pamjen e kanë shumë ndryshe nga domatet klasike.

Mirë se erdhët në serën me 70 lloje domatesh”, thotë Blid Koni.

27-vjeçari nga Tirana është prodhues fidanesh. Ai thotë se, para se të shesë fidanet e perimeve për fermerët, si fillim i teston ato në serën e tij, dhe kjo bëhet për të parë nëse këto domate kanë fuqinë e duhur mbirëse dhe nëse i rezistojnë sëmundjeve në vendin tonë. Një tjetër qëllim është edhe zgjerimi i tregut me varietete të reja që rrisin fitimin e fermerit.

Kjo është një serë eksperimentale, synimi i kësaj sere është studimi i tregut, si dhe për të testuar varietetet, nëse këto varietete i përshtaten klimës dhe tokës shqiptare.”, shton i riu.

Domatja karamele është më e veçanta në Shqipëri, sepse kjo domate e vogël, sipas Bleisit, ka një mision të veçantë për shëndetin e fëmijëve. Shija e saj e ëmbël ka fuqi të zëvendësojë çokollatat e pashëndetshme me vaj palme.

Këtu kemi një domate që është risi jo vetëm për tregun shqiptar, por edhe atë europian. Kjo domate e veçantë është se nuk ka tul, por është e lëngshme dhe ka shije të veçantë, pasi ka më tepër sheqer se të gjitha domatet e tjera klasike. Kjo domate fokus të saj ka shijen, por edhe diçka më ndryshe se domatet e tjera, pasi në market kjo domate në supermarkete shitet për fëmijët e vegjël. Duke qenë se ka një shije shumë të ëmbël, kjo imiton karamelet, kështu ne shtyjmë fëmijët që t’i largohen çokollatave dhe të hanë fruta, perime pa sheqer industrial, por produkte organike me shije ekzaktësisht të njëjtë.”, shton Koni.

Çudia nuk përfundon këtu në tokën shqiptare. Është kultivuar domate me pamje dhe shije të frutit ekzotik.

Ndërsa këtu kemi një domate që ne e quajmë mango. Kur ne e shijojmë këtë domate, ajo ka pak nota mangoje në shije dhe në supermarket shitet 4000–5000 lekë të vjetra për kg.”, deklaron më tej 27-vjeçari.

Por jo gjithmonë shija është ajo që kërkon tregu, për shumë restorante tepër rëndësi ka edhe aparanca.

Këtu kemi një domate të zezë, dhe e mira është ngjyra. Nuk po flas për shijen, se edhe ajo është ekselente dhe me shije të lartë”, shprehet Bleis Koni.

Këto domate kushtojnë më tepër jo vetëm për konsumatorin, por edhe për fermerin, sepse këto domate nuk kanë për qëllim sasinë e prodhimit, por shijen e veçantë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta