Shtetet e Bashkuara, sipas Wall Street Journal kanë goditur në Oqeanin Indian një anije të nisur nga Kina drejt Iranit, me argumentin e bllokimit të një trafiku të mundshëm armësh mes dy vendeve. Media e njohur thotë se operacioni u krye nga forcat speciale amerikane.
Në shkrim theksohet se shërbimet amerikane të inteligjencës kishin gjurmuar lëvizjet e anijes së mallrave të nisur nga një port kinez me destinacion Republikën Islamike. Në bord kishte pajisje me përdorim të dyfishtë, që do të thotë teknologji e përshtatshme si për përdorim civil ashtu edhe për ushtarak. Kur anija kaloi në jug të Sri Lankës, një ekip i Forcave Speciale, me shumë mundësi i mbështetur nga njësitë e Marinës Amerikane, nisi sulmin. Ngjarja ka ndodhur muajin e kaluar, por është mësuar vetëm tani.
Wall Street Journal vëren se Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin taktika gjithmonë e më agresive ndaj kundërshtarëve të tyre: disa ditë më parë, SHBA sekurestroi një anije cisternë nafte në brigjet e Venezuelës, veprim ky i lidhur me fushatën kundër Nicolas Maduros dhe aleatëve të tij. Anija u përshkrua si e një aksi që lidhte Karakasin, Iranin dhe Kubën. Ndërhyrja ndaj anijes mallrash që mbërrinte nga Kina po cilësohet si përpjekje për të penguar planet e Republikës Islamike.
Pas konfliktit të shkurtër midis Izraelit dhe Iranit këtë verë, Garda Revolucionare e Iranit po tenton të përmirësojë arsenalin e saj të raketave dhe të blejë sisteme të reja, pasi bombardimet e IDF-së, së bashku me sulmet amerikane, shkatërruan pjesërisht disa vende ku iranianët prodhonin raketa me rreze të gjatë veprimi.
Top Channel