Anëtari i Kryesisë së PD zbulon prapaskenat nga mbledhja me dyer të mbyllura: Gjekmarkaj ofroi dorëheqjen, të largohen dhe Noka e Bardhi Mbledhja e kryesisë së PD ku u njoftua protesta kombëtare e 22 dhjetorit, është shoqëruar me debate të forta në pjesën kur ka qenë pa praninë e mediave.
Në përballjen e parë që pas foltores që nisi ish deputeti demokrat, Ervin Salianji, lëvizja e tij ishte pjesë e diskutimeve mes anëtarëve të kryesisë, ku u përfshi edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Gjithçka nisi pas largimit të mediave, ku sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka akuzoi Salianjin se me lëvizjen që sapo ka nisur, po i shërben Edi Ramës.
“Me lëvizjen tënde po i shërben socialistëve”, iu drejtua Noka ish deputetit demokrat, teksa mori edhe mbështetjen e kryetarit të PD-së.
“Me ata që po bën ti foltore, ata kanë punuar për PS-në në zgjedhje”, mësohet të ketë thënë Berisha.
Si përgjigje, Salianji akuzoi numrin dy të demokratëve se ka shkatërruar strukturat e PD-së dhe duhet të marrë përgjegjësi e të japë dorëheqjen.
“Jep dorëheqjen Flamur, e pafalshme gabimi me Avokatin e Popullit dhe shkatërrimi i partisë, dil tako demokratët nëse i takon dot”, mësohet të këtë thënë Salianji.
“Sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrezuar Ramën, e paskeni me ne”, vijoi më tej ish-deputeti demokrat.
Burimet bëjnë të ditur se përgjigja për Salianjin ka qenë për ta bërë analizën brenda strukturave të partisë dhe “të mos dalë anash”.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, ku nuk kanë munguar as tonet e larta, Noka është mbështetur edhe nga dy deputetët Elda Hoti dhe Blendi Himçi, të cilët i kanë kujtuar Salianjit se u ka kërkuar që të mbështesin me firma Endrit Shabanin.
Gjatë pjesës së hapur të mbledhjes së Kryesisë, Berisha foli pa emra edhe për zjarrfikës të protestave të opozitës.
“Duhet të flasin qytetarët me protestën e tyre. Sa janë ata që duan të flasin me protestën e tyre? 1 mijë? Ne në krye. 2 mijë? Ne në krye. 300? Ne aty. Por rrugë tjetër nuk ka. Të gjitha rrugët e tjera janë rrugë zjarrfikësish. Duhet t’i shohim gjërat siç është. Ne nuk bëhemi kurrë zjarrfikës”, deklaroi Berisha.
Debati i plotë:
Pas daljes se mediave sipas pikës 1 të rendit të ditës, e vetmja pikë në rend dite, fillojnë diskutimet për protestën:
Sali Berisha: Duhet të kërkojmë falje publike secili prej deputetëve që ka firmosur për Avokatin e Popullit dhe Rama le ta gëzojë siç ka 98% të shkoje 99% të pushtetit.
Jozefina Topalli: Jo mar mos e gëzoftë
Sali Berisha: Ta gëzojë ne nuk do merremi as në Gjykatën Kushtetuese, ky ishte gabim dhe ne duhet ta pranojmë.
Agron Gjekmarkaj: Ofroj dorëheqjen për rastin e Avokatit të Popullit.
Bislimi Ahmetaj: Mendoj që përgjegjësinë e ka Flamur Noka për gjithë këtë çorganizatim të organizuar që ka partia dhe mendoj se do e kemi të vështirë të na vijnë njerëz. Me këtë reagim po neglizhojmë demokratët dhe avokati i popullit është përgjegjësi e Nokës. Me Salianjin nuk kam pasur simpati se jemi përplasur por sot me lëvizjet që po bën i jap të drejtë.
Flamur Noka: Në Durrës nuk kanë qenë demokratë, Arlind Boshku dhe Tan Burgia janë zara të Dyrmishit dhe Ergysit.
Ervin Salianji: Janë sekretari i degës dhe kryetari i grupit të këshilltarëve të PD, pse sot që nuk mendojnë si ju janë kundër këta?! Po këta emrat e PS pse nuk i përmendni ju në publik
Flamur Noka: Në Elbasan njerëzit thonë që po angazhohet Suel Çela për të mos pasur njerëz në tek foltorja dhe ky është ndikimi jot (Salianjit)
Ervin Salianji: Ende nuk e kam caktuar takimin por meqë deri sot kam menduar që s’dua përçarje dhe as dua të flas po të them që ti duhet të jesh i kujdesshëm sepse ke qenë i akuzuar para 4 vitesh se mblidhje firmat e seksioneve nën kërcënimin e Suelit, pastaj se kush e takon ju e dini që ja u sjell me fakte nëse vazhdoni me këto idiotësira.
Flamur Noka: Në Gjirokastër nuk kishe kryesi
Ervin Salianji: Lexon gjithë emrat e Kryesisë, mbi 80% e Kryesisë dhe salla plot, por dhe sikur pse nuk shkon ti Flamur apo ndonjë tjetër dhe t’i mbushësh sallat? Avokati i popullit ishte gabim strategjik, PD duhet të shkonte me një kandidat, e kemi dërguar në para 4 vitesh Ledio Braho, kandidat të vetëm dhe e ka rrëzuar Rama, nuk mund t’i thuash ti deputetëve që firmosni ke të doni dhe pastaj thua pse na e hodhi Rama, duket si pazar tek njerëzit dhe ti Flamur meqë po i del për zot duhet të japësh dorëheqjen, për shkatërrimin e strukturës, organizimit dhe perceptimin që jeni shit tek Rama.
Bled Himci: Salianjin e kam mik por tek takimi i Elbasanit ka pasur njerëz të PSD dhe njerëz që s’kanë punuar për PD dhe Salianji më ka thënë që të firmosja për Endrin
Ervin Salianji: As kam qenë në Elbasan këtë periudhë as kam bërë takim deri tani, ndërkohë që ca të them të kanë detyruar ta thuash e thua por kujtohu se ti po e shoh as nuk e paske emrin në listë, qesharak mund të bëhesh dhe me vetëdijen.
Top Channel