Aksidenti tragjik që i mori jetën para kohe dy shqiptareve, Spiropali: Shtyhet Samiti i 6-të i Gruas në Diasporë në nderim të Elisabeta Katijajt

13/12/2025 20:15

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka shprehur dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të Elisabeta Katijajt dhe Eorda Sinollarit.

Ajo i ka cilësuar ato si dy gra plot dritë dhe energji, që i kushtuan kohën dhe talentin e tyre Shqipërisë dhe diasporës shqiptare.

Ministrja bën të ditur se, në shenjë nderimi dhe respekti për figurën dhe kontributin e Elisabeta Katijajt, Samiti i 6-të i Gruas në Diasporë, që pritej të mbahej në Parma, do të shtyhet për një kohë tjetër.

Ato humbën jetën pasi makina u përplas me kamion në autostradën “Ibrahim Rugova”. Të dy gratë shqiptare, ndodheshin në të njëjtën makinë, teksa njëra prej tyre ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa tjetra në spital.

Mesazhi i plotë:

Thellësisht e prekur nga lajmi i rëndë për ndarjen e parakohshme nga jeta të Elisabeta Katiajt dhe Eorda Sinollarit.

Dy gra plot dritë dhe energji, që ia kushtuan kohën dhe talentin e tyre Shqipërisë dhe diasporës shqiptare. Elisabeta, një forcë e vërtetë e komunitetit të biznesit, dhe Eorda, një profesioniste e re, e cila sillte dije dhe frymë të re përmes Programit Brain Gain të GIZ-it.

Me Elisabetën, pas pak ditësh, do të ishim së bashku në Parma, në Samitin e 6-të të Gruas në Diasporë, por fatkeqësisht largimi i saj i beftë dhe i parakohshëm nuk na e la këtë mundësi.

Në shenjë nderimi dhe respekti për figurën dhe kontributin e Elisabetës, Samiti i 6-të i Gruas në Diasporë do të shtyhet për një kohë tjetër.

Në këtë moment të thellë dhimbjeje, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera dhe jam pranë fëmijëve në moshë të njomë, familjarëve, miqve dhe të gjithë atyre që i njohën dhe i çmuan.

I lehtë dheu!

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta