Aksident i rëndë në Kosovë, viktima mbeten dy shqiptare, një ndër to ekspertja e njohur e ekonomisë
Këtë të premte gjyqtarët e Kushtetueses rrëzuan pezullimin nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres Belinda Balluku, duke e rikthyer në detyrë.
Gjykata kushtetuese tha se pezullon të dyja vendimet për verifikimin e masave, që do të thotë se këtoverdikte mbeten të pazabatueshme derisa Kushtetuesja të shprehet në themel për të katër kërkesat e kryeministrit.
Vendimi u mor me 5 vota pro dhe 3 kundër, ku në shumicë votuan Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji, Genti Ibrahimi, Sandër Beci dhe Marjana Semini, ndërsa kundër ishin Marsida Xhaferllari, Ilir Toska dhe Asim Vokshi.
Sipas argumentit të shumicës që riktheu në detyrë Ballukun, pezullimi i zv.kryeministres rrezikon të sjellë pasoja që preksin interest shtetërore.
“Mbledhja e Gjykatësve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit organik të Gjykatës. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjykatësve, zbatimi i vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, si dhe vazhdimi i masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, njëkohësisht zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, rrezikon të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërorë gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në drejtim të përcaktimit të politikave të përgjithshme shtetërore”.
Pakica nga ana tjetër argumenton se nuk verifikohet prania e pasojave.
“Për sa më lart, përkundër vlerësimit të shumicës për pezullimin e vendimeve gjyqësore, ne, gjyqtarët në pakicë, çmojmë se nuk plotësohen kushtet e nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës, pasi nuk verifikohet prania e pasojave të pariparueshme në masë të rëndë, pra në atë masë që të shkojë përtej masës normale të kufizimit, në veçanti në pikëpamje të urgjencës. Në këtë kuptim, argumenti i kërkuesit se Këshilli i Ministrave del jashtë funksionit për shkak të pezullimit nga detyra të një prej anëtarëve të tij nuk është bindës për sa kohë bëhet fjalë për organ kolegial, i cili i merr vendimet në mënyrë kolegiale, me shumicën e votave. Po kështu, jemi të mendimit se kërkuesi nuk tregon që nuk ka mjete të tjera në dispozicion më pak të dëmshme për të adresuar situatën e krijuar”.
Gjykata Kushtetuese njoftoi se me shumicë votash, pra pesë me tre vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.
Top Channel