Monografia që rikthen Zajmin/ Oltsen Gripshi sjell një portret të thellë të piktorit, duke përfshirë 130 vepra nga të gjitha zhanret

12/12/2025 20:08

“Nexhmedin Zajmi: Fryma evropiane në pikturën shqiptare”, është një monografi shkencore që synon të depërtojë në thellësitë e qenies krijuese të një prej piktorëve më të talentuar shqiptarë. Vepra e autorit Oltsen Gripshi e trajton Zajmin jo vetëm si artist, por edhe si intelektual të vijës së parë në kohën kur jetoi, autori Oltsen Gripshi.

Monografia përfshin rreth 130 piktura të Zajmit, që lëvroi me të njëjtën fuqi shprehëse të gjitha zhanret e artit pamor: portretin, kompozimet shumëfigurëshe, peizazhet, brenditë dhe natyrat e qeta.

“Me temën e peizazhit, është një piktor, i cili edhe te elementët më periferikë të natyrës, gjen të bukurën, mundohet ta zbërthejë dhe ta evidentojë atë mbi kanavacë. Nuk mbetet pas portreti, kompozimet figurale, temat historike. Është një piktor, i cili i ka trajtuar portretet e figurave të mëdha që nga Bajram Curri te Skënderbeu”, tha Oltsen Gripshi, piktor, studiues arti..

Ky botim ishte ide e fëmijëve të mjeshtrit të pikturës, Anila dhe Uvil Zajmit. Për të birin, ky album që i rikthen kujtime dhe emocione, i ofron publikut një monografi të plotë të jetës dhe krijimtarisë së Zajmit.

“E kam jetuar si prind deri në moshën 20-vjeçare, fëmijërinë dhe adoleshëncën e kam me Zajmin dhe piktorët e tjerë. Isha pjesë e studiove, një aktivitet tërësisht artistik. Zajmi ishte një njeri energjik, e niste ditën te qumështi i mëngjesit për të vrapuar më pas në studio, e jetonte çdo moment. Shpesh nuk vinte në drekë, as në darkë, punonte në studio. Në realizimin e pikturave, ishte energjik, me një karakter shumë të fortë. Piktura flet më shumë se çdo gjë tjetër për karakterin e tij”, u shpreh i biri, Uvil Zajmi.

Falë artit të tij, Zajmi u shndërrua në një nga piktorët më ndikues për bashkëkohësit dhe për brezat që erdhën pas. Ky hulumtim e nxjerr artistin nga intimiteti i shtëpisë, studios dhe institucioneve ku lindi e u zhvillua krijimtaria e tij, për ta sjellë sot pranë publikut të gjerë, në hapësirën e përbashkët kulturore kombëtare e përtej saj.

“Ka pasur një influencë të jashtëzakonshme, një ndikim te bashkëkohësit, te kolegët e tij në atë periudhë dhe në të gjithë brezat e rinj që janë gjendur në një dialog virtual me veprat e Nexhmedin Zajmit. Në pikturën e tij, lëvron ën mënyrë të pavetëdijshme impresionizmi, piktura realiste, piktura thellësisht shpirtërore dhe të gjitha këto, kush më mirë mund t’i bënte se sa Nexhmedin Zajmi“, tha Oltsen Gripshi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB