Sukses historik për Greqinë, ministri i Financave zgjidhet president i ri i Eurogroup

11/12/2025 18:02

Ditë historike për Greqinë karakterizohet nga shumica e mediave greke 11 dhjetori pasi  ministri grek i Financave, Kyriakos Pierrakakis, u zgjodh njëzëri president i ri i Eurogroup.

Zgjedhja e tij u miratua pa kundërshtime, pasi ministri belg Vincent Van Peteghem u tërhoq nga gara, duke hapur rrugën për konsensusin e plotë.

Kjo është hera e parë që një ministër grek merr drejtimin e Eurogroup, zhvillim që interpretohet gjerësisht si dëshmi e besimit të shtuar të partnerëve evropianë ndaj Greqisë dhe e vlerësimit për stabilitetin ekonomik të vendit, reformat fiskale dhe progresin në transformimin digjital. Sipas analizave, zgjedhja njëzëri e Pierrakakis përfaqëson një moment simbolik për imazhin e vendit dhe për peshën e tij politike në tryezën evropiane.

Pierrakakis merr detyrën menjëherë, pas dorëheqjes së ish-presidentit Pascal Donohoe. Deri në zgjedhje, drejtimin e përkohshëm të Eurogroup e ushtronte ministri i Financave i Qipros, Makis Keravnos.

Si drejtues i Eurogroup, Pierrakakis do të përfaqësojë ministrat e Financave të eurozonës në forume ndërkombëtare, nga G7 deri në takimet e FMN-së. Ai do të ketë gjithashtu rol kyç në koordinimin e politikave ekonomike mes vendeve të eurozonës.

Ndër detyrat e para që e presin është udhëheqja e procesit të përzgjedhjes së zëvendëspresidentit të ri të Bankës Qendrore Evropiane.

Pierrakakis ka pranuar urime nga shumë kolegët to tij grekë në kabinetin Mitsotakis, por edhe nga ata europianë. Zëvendëskryeministri i Greqisë, Kostis Hatzidakis, e cilësoi zgjedhjen e tij si një arritje të madhe për ministrin, qeverinë dhe vetë vendin duke nënvizuar s e Greqia – e cila një dekadë më parë ishte pranë daljes nga eurozona – sot shihet në Bruksel si shembull suksesi.

Sipas tij, suksesi i Pierrakakis reflekton progresin domethënës të ekonomisë greke në gjashtë vitet e fundit, pavarësisht krizave të shumëfishta globale.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta