Video/ Pjesë e ‘Flotës Fantazmë’ të Rusisë, goditet anija cisternë e naftës në Detin e Zi, dronët ujorë ukrainas shkaktojnë dëme të rënda

10/12/2025 20:22

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, SBU, ka përdorur dronë detarë për të goditur një anije cisternë nafte që i përkiste “flotës në hije” të Rusisë në Detin e Zi, duke i shkaktuar dëme të rënda ndërsa ajo lundronte brenda zonës ekskluzive ekonomike të Ukrainës.

Sipas burimeve, tankeri po shkonte me shpejtësi drejt terminalit e Novorossiysk, me sistemin automatik të identifikimit të çaktivizuar, kur u godit nga dronët ukrainas. Sulmi shkaktoi “dëme kritike”, me shpërthime që goditën rëndë pjesën e pasme të anijes.

Pamjet video të siguruara nga burimi tregojnë momentin e shpërthimeve të fuqishme në anije. Sipas vlerësimeve paraprake, cisterna Dashan dyshohet se është nxjerrë jashtë përdorimit.

Cisterna Dashan kushton rreth 30 milionë dollarë dhe zakonisht transporton ngarkesa nafte me vlerë deri në 60 milionë dollarë për udhëtim. BE-ja, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe Zvicra e kanë sanksionuar më parë anijen për transport të naftës ruse dhe për lundrim me sistemet e identifikimit të çaktivizuara.

“SBU vazhdon veprimet aktive për të ulur të ardhurat nga nafta që futen në buxhetin rus. Në dy javët e fundit, kjo është tashmë cisterna e tretë e dëmtuar e ‘flotës në hije’ që i ka shërbyer Kremlinit për të shmangur sanksionet ndërkombëtare,” tha një burimi i SBU-së.

Sulmi ndaj Dashan është pjesë e një fushate më të gjerë të Ukrainës kundër flotës në hije të Rusisë dhe infrastrukturës së saj të naftës. Ish-oficeri i SBU-së, Ivan Stupak, i tha “Kyiv Independent” se objektivi është të tremben pronarët e tankerëve, në mënyrë që të shmangin portet ruse të Detit të Zi. “Ata po përpiqen ta bëjnë këtë tregti shumë të rrezikshme. Edhe pse fitimet janë të mëdha, SBU synon të ulë interesin për të qenë pjesë e saj,” tha Stupak.

Më 28 nëntor, dronët Sea Baby goditën dy tankerë të tjerë rusë, Kairos dhe Virat, pranë brigjeve të Turqisë, duke i nxjerrë jashtë funksionit. Disa ditë më vonë, tankeri Midvolga-2 raportoi një sulm të ngjashëm rreth 80 milje nga bregdeti turk, ndonëse Ukraina mohoi përfshirjen dhe sugjeroi se incidenti mund të ketë qenë i inskenuar nga vetë Rusia.

Ukraina ka goditur gjithashtu infrastrukturën portuale që mbështet eksportet e naftës ruse. Më 24 shtator, dronët detarë shënjestruan terminalet e naftës në Tuapse dhe Novorossiysk, duke “paralizuar” operacionet kryesore të eksportit, sipas një burimi të inteligjencës ushtarake ukrainase (HUR).

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta