“Model edhe për vendet e tjera të BE-së”/ Meloni vlerëson marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët

10/12/2025 20:58

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni theksoi se Italia ka punuar për zgjidhje inovative në menaxhimin e migracionit, duke veçuar si model bashkëpunimin me Shqipërinë për përpunimin e kërkesave për azil dhe procedurat e riatdhesimit jashtë Bashkimit Europian, por nën juridiksion europian.

Sipas Melonit, ky protokoll ka hapur rrugën për marrëveshje të ngjashme në nivel të BE-së. Këtë e dëshmon edhe marrëveshja e arritur së fundmi nga ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare për futjen e konceptit të “vendeve të treta të sigurta”

“Italia ka punuar gjithashtu për të propozuar zgjidhje inovative, të cilat tani shihen me interes të shtuar dhe gradualisht po bëhen praktikë e zakonshme. I referohem para së gjithash Protokollit të bashkëpunimit që nënshkruam me Shqipërinë. Dëshiroj të përshëndes dhe të falënderoj Ministren e Punëve të Brendshme Koçiu, e cila është në Bruksel sot, me qëllim që të përpunojmë kërkesat për azil dhe procedurat e riatdhesimit jashtë BE-së, por nën juridiksionin evropian.“- u shpreh Meloni.

Ndërkohë, ministrja Albana Koçiu në Konferencën Globale të Aleancës Kundër Kontrabandës së Migrantëve bashkëkryesoi seksionin mbi alternativat ndaj migracionit të paligjshëm.

Në këtë konferencë u dërguan mesazhe nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe Komisioneri Europian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër trafikimit të migrantëve.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta