Mohamed Salah nuk është vetëm një prej futbollistëve më të mëdhenj të Liverpoolit, por ai në dekadën e fundit i ka dhënë vetes statusin e një prej lojtarëve më të mirë të botës në dekadën e fundit.

Egjiptiani ka qenë një katalizator i sukseseve të Liverpoolit duke fituar 2 tituj në Premier League, një Ligë Kampionesh dhe një Botëror Klubesh në 9 sezonet e tij me fanelën e The Reds. Po kështu Salah, shënuesi më i mirë në historinë e Liverpoolit në Premier League, krijoi edhe një lidhje emotive me tifozët dhe komunitetin lokal teksa nëpër qytet dhe pranë stadiumit shihen murales me imazhin e tij. Në një situatë të tillë duket e pamundur që një lidhje e tillë mes futbollistit dhe klubit të shkërrmoqet në një mënyrë kaq dramatike dhe kjo ndodhi pas një interviste të fortë të dhënë pas barazimit 3-3 me Leeds ditën e shtunë.

Çfarë tha Salah?

Në fakt shenjat e një shembjeje të këtij raporti ishin parë disi. Sezonin e kaluar, përpara se Liverpool të fitonte titullin, nuk ishte e qartë nëse Salah do t’i ofrohet një kontratë e re nga klubi anglez dhe me muaj të tërë u spekulua shumë për një krisje të një raporti që dukej i pathyeshëm. Vendimi për t’i ofruar kontratën e re Salah në fund të sezonit duket se i shoi përfundimisht zërat për një ndarje.

Por tani, 7 muaj më vonë duket se ky raport nuk mund të shpëtohet më. Për të kuptuar të gjithë këtë situatë, duhet të shohim në fillim sezonin katastrofik të Liverpoolit. Shumë prisnin që kampionët e Anglisë të bënin një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme për një tjetër titull.

Edhe forma e Salah nuk ishte në nivelet më optimale aq sa tani ai ka mbetur jashtë formacioni dhe kjo ishte e vështirë për Salah për t’u kapërdirë. Egjiptiani është aktivizuar më shumë si zëvendësues këtë sezon.

‘Të them të drejtën jam shumë i zhgënjyer, kam bërë kaq shumë për këtë klub  gjatë viteve e sidomos sezonin e kaluar-tha Salah pas ndeshjes me Leeds ku ai nuk u aktivizua fare-tani jam në stol dhe nuk e di pse. Duket sikur klubi më ka hedhur nën autobus. Kështu ndihem tani. Mendoj se është shumë e qartë se dikush donte që unë të isha fajtor’.

I pakënaqur me bombën që hodhi, Salah nuk ngurroi të shënjestrojë hierarkinë e Liverpoolit në një kohë kur pozitat e trajnerit Arne Slot janë tronditur ndjeshëm

‘M’u bënë shumë premtime në verë dhe deri tani jam në stol prej 3 ndeshjesh kështu që  nuk mund të them se e mbajnë premtimin-tha Salah-e kam thënë shumë herë se më përpara kam pasur një raport të mirë me trajnerin, kurse tani krejt papritur nuk kemi asnjë raport. Nuk e di pse, por mua më duket se dikush nuk më do në klub’.

Si u përgjigj Liverpool?

Në një farë mënyre, nuk ishte një befasi që Liverpool e la jashtë skuadre Salah për ndeshjen me Interin në San Siro në Ligën e Kampioneve këtë të martë. Kur Slot u pyet për situatën gjatë konferencës për shtyp në prag të ndeshjes, ai tha se ishte pak i habitur kur dëgjoi deklaratën e Salah

‘Nuk është hera e parë dhe as e fundit që një futbollist që nuk aktivizohet thotë dicka të ngjashme si Salah-tha Slot-por mendoj se reagimi ynë, i imi, është i qartë dhe ai nuk është me ne sonte’

Slot tha gjithashtu se ai nuk e kishte idenë nëse Salah luajti ndeshjen e tij të fundit me Liverpool dhe se përgjigjja e klubit ishte një shfaqje e autoritetit

‘Zakonisht jam i sjellshëm, por kjo nuk do të thotë se jam i dobët-shtoi  Slot

Vendimi i Salah për të folur hapur në media ndezi një debat në botën e futbollit. Ish mbrojtësi i Liverpool, Jamie Carragher tha për Sky Sports se ajo që tha Salah ishte shumë e shëmtuar duke shtuar se ishte një lëvizje e llogaritur për të shkaktuar dëmin maksimal dhe për të forcuar pozitën e tij. Ndërsa Ëayne Rooney për BBC Sport tha se Salah po shkatërron trashëgiminë e tij te Liverpool

Çfarë ndodh tani?

Kjo nuk është e qartë. Liverpool do të përballet me Brighton në Premier League të shtunën dhe Salah la të kuptohet se kjo do të jetë ndeshja e tij e fundit me fanelën e The Reds. Sulmuesi 33 vjecar do të bashkohet shumë shpejt me kombëtaren egjiptiane për Kupën e Kombeve të Afrikës që do të thotë se ai do të mungojë në disa ndeshje me kampionët e Anglisë. Por me hapjen e merkatos së transferimeve në janar, ka zëra që thonë se Salah mund të gjejë një klub të ri pas kthimit nga kombëtarja.

Mënyra se si ai përshëndeti tifozët e Liverpool që kishin udhëtuar deri në Elland Road në fund të ndeshjes u pa si një shenjë që ‘mbreti egjiptian’ (sic e quajnë tifozët), e ka një këmbë jashtë Liverpoolit. Dhe pavarësisht impaktit të tij në rritje në Premier League, janë shumë klube që janë gati të sigurojnë shërbimin e tij.

Arabia Saudite duket se është drejtimi më I qartë, duke parë se klube nga ky vend kanë shfaqur interesin për të sezonin e kaluar, por edhe ekipe të Serie A kanë hedhur sytë nga Anglia e për më tepër Salah ka luajtur edhe më parë në kampionatin italian. Nëse Salah largohet do të mbyllet një histori dashurie që përcaktoi një epokë te Liverpool. Por duke parë moshën e tij dhe kampionatin lodhës të Premier League, ndoshta nuk është edhe aq e befasishme ky largim i tij.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta