BE hetim ndaj Google, hetim ‘antitrust’, dyshohet se po abuzon me të dhënat e përdoruesve
Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump po ndërton në heshtje skenarë për atë që mund të ndodhë në Venezuelë në rast se regjimi i Nicolas Maduros rrëzohet.
CNN shkruan se Shtëpia e Bardhë po zhvillon plane të detajuara për mënyrën se si SHBA do të veprojë në periudhën e menjëhershme pas largimit të Maduros, qoftë si pasojë e një marrëveshjeje të negociuar, qoftë pas goditjeve të mundshme amerikane ndaj objektivave brenda Venezuelës. Planet po mbahen shumë të kufizuara brenda Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe drejtohen nga Stephen Miller, i cili së fundmi ka bashkëpunuar ngushtë me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio në çështjet që lidhen me Venezuelën.
Që prej muajve të fundit, SHBA ka zhvendosur mijëra trupa dhe një grup sulmues aeroplanmbajtës në Karaibe, duke e justifikuar publikisht operacionin si përpjekje për të frenuar trafikun e drogës. Por brenda administratës, këto lëvizje shihen si pjesë e në strategjie më të gjerë për të shtuar presionin mbi Maduros, thanë zyrtarët.
Edhe pse Trump ka kërcënuar hapur me përshkallëzim, përfshirë ndërhyrje tokësore, disa prej zyrtarëve të lartë pranojnë se nuk ka oreks për një angazhim të madh ushtarak në Venezuelë. Megjithatë, presidenti po mban hapur të gjitha opsionet.
Ai madje ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me Maduron muajin e kaluar, ku sipas Shtëpisë së Bardhë, i ka dhënë atij një ultimatum të qartë për largimin nga pushteti.
Ndërkohë, opozita e udhëhequr nga María Corina Machado dhe Edmundo González ka hartuar plane të detajuara tranzicioni “100 orë” dhe “100 ditë” që përfshijnë sigurinë, ekonominë, energjinë, infrastrukturën e deri tek arsimi. Këto plane janë ndarë pjesërisht me administratën amerikane, megjithëse nuk dihet nëse Shtëpia e Bardhë i ka integruar ato në planifikimin e saj.
SHBA ka deklaruar publikisht se Gonzalez është “presidenti i ligjshëm” i Venezuelës, duke pretenduar se ai fitoi më shumë vota në zgjedhjet e vitit të kaluar.
Analistë të sigurisë vlerësojnë se planifikimi i hershëm është i domosdoshëm, duke kujtuar gabimin e vitit 2003 në Irak, ku SHBA hyri pa një plan për administrimin e vendit pas rrëzimit të regjimit.
Sipas tyre, çdo skenar në Venezuelë përfshin rreziqe të mëdha, nga vakumi i pushtetit e deri tek shpërthimi i kaosit. SHBA duhet të vendosë që tani se çfarë mbështetje ekonomike, ushtarake dhe të inteligjencës do të ofrojë nëse Maduro bie.
Një çështje tjetër kyçe është njohja e qeverisë së re, e cila do të përcaktojë heqjen e sanksioneve dhe mundësinë për ndihmë ndërkombëtare.
Pavarësisht përpjekjeve të mëparshme diplomatike, zyrtarët amerikanë janë skeptikë se Maduro do të pranojë një marrëveshje të negociuar, duke kujtuar se ai ka shkelur pesë marrëveshje të nënshkruara gjatë dekadës së fundit.
Në tetor Trump tha se kishte autorizuar CIA-n të veprojë brenda Venezuelës për të frenuar flukset e drogës dhe migracionit ilegal, por nuk deklaroi se kishte urdhëruar aksione për rrëzimin e regjimit.
Opozita venezuelase vlerëson përpjekjet e administratës amerikane, duke nënvizuar se qëllimi mbetet një hemisferë pa ndikimin e Rusisë, Iranit, Kinës dhe Kubës, aktorë që e kanë përdorur Venezuelën si pikë strategjike.
Ndërkohë, planifikimi sekret në Shtëpinë e Bardhë po intensifikohet, ndërsa mbetet e paqartë se kur dhe si mund të ndodhë rrëzimi i Maduros dhe çfarë roli do të marrë SHBA në “ditën pasuese”.
Top Channel