“Ia dolëm të sjellim në dritë të vërtetën historike”, Inspektori i Lartë i Drejtësisë: Të ruajmë ekuilibrin mes pavarësisë së magjistratëve dhe interesit publik

09/12/2025 19:15

Inspektimi disiplinor në Shqipëri përbën një shtyllë thelbësore të integritetit dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Në një ceremoni të mbajtur së fundmi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha në fjalën e tij përshëndetëse:

“Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve, që gjetët kohë dhe erdhët në këtë takim. Për hir të së vërtetës, kur me kolegët në zyrën e ILD, menduam dhe diskutuam idenë e rrugëtimit të shërbimit të inspektimit gjyqësor dhe atij të prokurorisë në Shqipëri, ishim shumë entuziastë, por edhe pasigurt, nëse do të arrinim të tregonim gjerësisht zhvillimin e inspektimit të magjistratëve në Shqipëri. Inspektimi gjyqësor mbetet shpesh në hije dhe vëmendjen publike e marrin natyrshëm vendimet gjyqësore. Por, inspektimi gjyqësor mbetet një mjet shumë i rëndësishëm për ruajtjen e integritetit të sistemit të drejtësisë.

Duke patur parasysh këtë, por edhe mundësitë reale, që ILD të prodhonte një dokumentim historik, të të gjithë ecurisë e shërbimit të inspektimit gjyqësor në Shqipëri, që prej vitit 1912, sfida dukej gati e pakapërcyeshme.

Por me sa duket, ia dolëm. Sot, do hapim perden e kësaj pjese vitale dhe emocionuese të historisë sonë. Materialet që botohen në këtë libër përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme nga tradita institucionale e drejtësisë shqiptare. Besoj se janë materiale, pak të njohura për shumë prej nesh. Me përjashtim të studiuesve të veçantë për këtë fushë, komuniteti i juristëve të interesuar për zhvillimet e drejtësisë në Shqipëri, nuk e kanë patur mundësinë të njihen drejtpërdrejt me materialet që paraqitura në këtë libër nëpërmjet burimeve arkivore. Dhe ky botim sot, përpiqet të mbushë këtë boshllëk, duke ofruar një panoramë të qartë të zhvillimeve historike të shërbimit të inspektimit gjyqësor.

Ndodh, që edhe botimet e thjeshta me objekt temën historike, mund të ngjallin debat. Por, me këtë botim, ne nuk kemi dashur të bëjmë asnjë interpretim apo koment mbi ngjarjet historike, që kanë shënjuar lindjen dhe zhvillimin e inspektimit gjyqësor. Ne kemi zgjedhur të paraqesim dokumentet në formën e tyre të pastër, ashtu siç dalin në burimet arkivore, me qëllimin e vetëm për të sjellë në dritë të vërtetën historike.

Por, dua ta theksoj fort nga ana tjetër, se është realisht emocionuese, të konstatosh ndërgjegjen e fortë shtetarë, që në themelimin e shtetit shqiptar në 1912. Qeveria kombëtare e Vlorës, vendosi që krahas ngritjes së gjykatave e prokurorive të shtetit shqiptar, të krijonte edhe një inspektorat drejtësie, që të garantonte përgjegjshmërinë jo vetëm të sistemit, por edhe pavarësinë e tij, pasi inspektorët kishin edhe një kompetencë domethënëse, të verifikonin që administrata shtetërore të mos ndërhynte apo ndikonte në asnjë mënyrë, në veprimtarinë e gjykatave. Dua ta theksoj edhe njëherë, rëndësinë e ngritjes se inspektoratit të drejtësisë, të mbështetur në standardet e larta të ndarjes së pushteteve dhe të ruajtjes se pavarësisë së magjistratëve. Elita drejtuese e shtetit shqiptar të asaj kohe, tregon nëpërmjet ngritjes së institucioneve të shtetit shqiptar me këtë frymë kushtetutshmërie, se kishte kapacitete juridike të një klasi të lartë, për të cilët, shteti ka nevojë në çdo moment të jetës së vet. Ishin këto kapacitete juridike, që patën barrën, e ngritjes së arkitrarëve të godinës shtetërore shqiptare, që ia dolën të ndërtojnë ligjet më të rëndësishme e më të nevojshme për funksionimin e shtetit të sapongritur, i cili, sipas fjalëve të njërit prej përfaqësuesve të kësaj elite, Ahmet Zogu, të botuar në gazetën Dita e Re, në vitin 1922, duhej të qëndronte “me fytyrë nga Perëndimi”.  E ky botim, është nderim edhe për përpjekjet të tyre, për ndërtimin e një drejtësie moderne dhe demokratike.

Ndër përmirësimet që iu bënë më pas, deri kur vendi u shpall monarki, spikaste fokusi tek profesionalizmi i magjistratëve, se kur një gjyqtari i prisheshin më shumë se gjysma e vendimeve nga një gjykatë më e lartë, apo kur më shumë se gjysma e vendimeve që kishte dhënë, nuk kishin mundësi ekzekutimi, atëherë Ministria e Drejtësisë vendoste marrjen e masës disiplinore të pushimit nga detyra.

Pas një kthimi mbrapa të shtetit të së drejtës në periudhën e monizmit, ku gjykatat e prokuroritë u njehsuan me partinë-shtet, pluralizmi riktheu në vëmendje rolin e gjyqësorit, si element kyç i shtetit të së drejtës, duke ligjëruar pavarësinë e gjyqtarëve e prokurorëve. Presidenti i Republikës si kryesues dhe më tej ministri i drejtësisë, me rol përherë e më të fortë, ishte modeli që Shqipëria provoi me përmirësime deri në vitin 2016. Koha tregoi se nuk ishte mjaftueshëm për të patur një sistem të pavarur e garantues të shtetit të së drejtës, përderisa, me një konsensus të rrallë politik pozitë-opozitë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në korrik 2016 reformën në drejtësi, e cila riformatoi gjithë sistemin përmes një arkitekture të re, e cila si emërues të përbashkët kishte pavarësinë e gjyqtarëve e prokurorëve. Në këtë arkitekturë të re, procesi disiplinor vjen për herë të parë si kompetencë e një institucioni të vetëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, një institucion i pavarur kushtetues, që ka përgjegjësinë e inspektimit disiplinor për gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve. Zgjedhja në detyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë erdhi me përgjegjësinë e jashtëzakonshme, për përballjen me ngritjen e një institucioni të tillë me themele të forta profesionale, me pritshmëritë e publikut dhe aktorëve të tjerë politikë e institucionalë dhe me pritshmëritë e vetë sistemit të drejtësisë. Duke mos patur model paraardhës, vendosja e standardeve të tilla dhe mbi të gjitha, ruajtja e ekuilibrit mes pavarësisë së magjistratëve dhe interesit krejt legjitim të publikut për mënyrën se si administrohet drejtësia, ishte dhe mbetet busulla orientuese e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Kjo mbetet sfida më e madhe profesionale dhe personale e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, jo për stabilitet institucional, por duke e parë këtë balancë interesash, si një parim kushtetues të rëndësishëm për të ardhmen e sistemit të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës. Natyrshëm si çdo proces, edhe testimi i kësaj filozofie pune, kërkon periudhën e vet të përballjes me sfidat që kalon sistemi dhe koha do të tregojë qëndrueshmërinë e zbatimit të saj në praktikë, si dhe efektet afatgjata në sistem.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, do doja të bëja falënderimet shumë të merituara, të gjithkujt, që bëri të mundur këtë ditë sot. Dëshiroj të falënderoj inspektorin Periant Teta, ideja e të cilit për të parë shërbimin e inspektimit gjyqësor në vite, vuri në lëvizje të gjithë këtë proces pune.

Ekipin e ILD-së, që ka bërë një punë të shkëlqyer kërkimore, si në arkivin e shtetit ashtu edhe në bibliotekën kombëtare, edhe pse jo profesionistë të fushës së kërkimit. Për muaj e muaj të tërë, cdo ditë me këmbëngulje dhe pasion, kërkonin kudo, ku mund të kishte histori të shërbimit të inspektimit. Elis Kuçi, Zilie Feçi, Sidora Tyli, faleminderit, për të gjithë kontributin tuaj.

Erind Mërkuri, pedagogu këmbëngulës dhe pasionant par exellence i historisë të së drejtës dhe kushtetutshmërisë, që investoi kohë, energji e përkushtim, pa asnjë interes financiar, por vetëm me pasionin e dashurisë për historinë, për të materializuar dokumentet arkivore në këtë botim. Këtu dua të falënderoj përzemërsisht misionin EU4Justice, që financoi botimin e këtij historiku, me një cilësi të shkëlqyer, e po vazhdon të na ndihmojë për ta sjellë edhe në gjuhën angleze.

Regjisorin Artan Rama, për dokumentarin e shkëlqyer, që na tregon protagonistët e inspektimit gjyqësor dhe të prokurorisë në kohë, me idealizimin, seriozitetin dhe profesionalizmin e tyre, për të zgjidhur çështjet e vështira që prodhonte koha. Dua të falënderoj një tjetër anëtar të ILD-së, Pavli Treskën, që bëri përkthimin në anglisht të dokumentarit, për audiencën e huaj.

Në krye të gjithë këtij procesi, për koordinimin e çdo hapi dhe çdo fazë të punës, për redaktimin profesional të këtij dokumentari e këtij botimi, për udhëheqjen e të gjithë procesit, nga dita 1 kur u diskutua për herë të parë kjo ide, e deri sa të dalë dhe njoftimi për shtyp i këtij aktiviteti, është Mimoza Koçiu, njeriu që besoi fort tek realizimi i kësaj ideje dhe me sa duket kishte të drejtë.

Dhe tani, le të shohim dokumentarin “Të inspektosh drejtësinë”, e më pas vijojmë me folësit, sipas programit”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta