Bundesliga/ Spektakël i Harry Kane dhe ‘manita’ e Bayernit ndaj Stuttgartit, bie Bayer Leverkusen
Harry Kane vazhdon sezonin fantastik 2025/26 me një tjetër paraqitje spektakolare.
Sulmuesi anglez regjistroi ‘tripletën’ e radhës në fitoren 5-0 të Bayern-it përballë Stuttgart-it, duke arritur një shifër që e fut në librat e historisë së Bundesligës.
Ky ishte ‘hat-trick’-u i 10-të i Kane në kampionatin gjerman që prej mbërritjes së tij në vitin 2023 dhe për ta arritur këtë, atij i janë dashur vetëm 76 ndeshje. Praktikisht, Kane po shënon një tripletë çdo 7.5 ndeshje, një ritëm i jashtëzakonshëm për elitën e futbollit europian.
Me këtë arritje, kapiteni i Anglisë thyen rekordin e legjendës Gerd Müller, i cili kishte nevojë për 161 ndeshje për të arritur 10 tripleta në Bundesligë. Pas Müllerit renditen emra të njohur si Mario Gomez (187 ndeshje) dhe Robert Lewandowski, të cilit iu deshën 324 ndeshje për të mbërritur të njëjtat shifra.
Dominimi i Kane në zonën e rreptësisë, aftësia për të lexuar lojën dhe precizioni i tij në goditje kanë bërë që Bayerni të ketë një lider të ri në sulm, ndërsa anglezi vazhdon të shkruajë historinë në Gjermani me një efektivitet që askush nuk e kishte parë më parë.
Forma e tij e jashtëzakonshme ka ringjallur edhe diskutimet në Angli, ku Kane ka kërkuar që kombëtarja të adoptojë një qasje të re taktike me “plan loje në stilin NFL” për goditjet e dënimit dhe skemat standarde, duke synuar suksesin në Botëror. Harry Kane nuk po thyen thjesht rekorde, ai po i rishkruan ato.
Top Channel