Beteja vendimtare në Paris, kryeministri francez Lecornu përballë votimit që mund t’i trondisë qeverinë
Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian ranë dakord për t’i bërë më të thjeshta refuzimet e kërkesave për azil dhe për të hartuar një listë të përbashkët të “vendeve të sigurta të origjinës”.
Marrëveshja parashikon gjithashtu zhvendosje të brendshme të azilkërkuesve brenda BE-së dhe kontribute financiare nga shtetet anëtare.
Sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, rreth 21 mijë azilkërkues do të zhvendosen në vende të tjera të BE-së për të ulur presionin mbi shtetet që përballen me flukse të larta migratore.
Paralelisht, vendet më pak të prekura nga migracioni do të kontribuojnë financiarisht me rreth 420 milionë euro në kuadër të mekanizmit të solidaritetit.
Ende nuk është përcaktuar ndarja konkrete e kontributeve për secilin shtet, përfshirë Gjermaninë.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me njësimin e procedurave të riatdhesimit në të gjithë Bashkimin Evropian. Këto masa përfshijnë paraburgimin para dëbimit, ndalimet e rihyrjes dhe rregulla më të ashpra për bashkëpunimin e personave që duhet të largohen me autoritetet përgjegjëse.
Në vlerësimin e Komisionit Evropian, Greqia, Qiproja, Spanja dhe Italia pritet të përfitojnë nga mekanizmi i solidaritetit gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të presionit të lartë migrator. Disa shtete, përfshirë Gjermaninë, mund të kërkojnë përjashtim nga detyrimi për zhvendosje, bazuar në udhëzimet e Komisionit Evropian.
Sipas rregullave të reja, vende si Suedia, Portugalia, Hungaria, Rumania dhe Luksemburgu pritet të kontribuojnë ose përmes pranimit të migrantëve, ose përmes formave të tjera solidariteti.
Për herë të parë, BE ka miratuar një listë të përbashkët të vendeve të sigurta të origjinës.
Në këtë listë përfshihen Egjipti, Maroku, Tunizia, India, Kosova, Bangladeshi dhe Kolumbia. Për azilkërkuesit nga këto vende do të zbatohen procedura të përshpejtuara, përfshirë shqyrtimin e kërkesave në kufi ose në zonat e tranzitit.
Tani, shtetet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian do të duhet të bien dakord mbi tekstin juridik përfundimtar të marrëveshjes.
Top Channel