Anulohet konferenca për shtyp e fitueses së Nobelit për Paqe, fati dhe vendndodhja e lideres së opozitës në Venezuelë mbeten të paqarta

09/12/2025 18:08

Konferenca për shtyp në Oslo me fituesen e çmimit Nobel për Paqe, María Corina Machado – lidere e opozitës venezueliane që prej muajsh ndodhet në arrati – është anuluar, ka njoftuar Instituti Nobel, i cili pranoi se “është në errësirë” për vendndodhjen e saj.

Machado nuk është shfaqur publikisht që nga 9 janari, kur mori pjesë në një protestë në Caracas kundër inaugurimit të mandatit të tretë të presidentit Nicolás Maduro. Konferenca e së martës pritej të ishte paraqitja e saj e parë pas 11 muajsh, por fillimisht u shty dhe më pas u anulua disa orë para nisjes.

Zëdhënësi i Institutit Nobel tha për mediat: “Konferenca për shtyp është anuluar për sot dhe nuk kemi informacion se kur apo si do të vijë ajo.”

I pyetur nëse mund të riplanifikohet të mërkurën, ai shtoi: “Nuk mendoj se po… jemi gjithashtu në errësirë.”

Instituti theksoi se Machado vetë kishte pranuar se udhëtimi drejt Norvegjisë ishte tejet i vështirë, ndaj nuk mund të jepeshin detaje për mbërritjen e saj. Ekipi i saj nuk komentoi.

Ndërkohë, familja e Machado-s – përfshirë nënën e saj 84-vjeçare dhe tre fëmijët – ka mbërritur në Oslo për ceremoninë e së mërkurës. Të akredituarit për ngjarjen u njoftuan me mesazhe urgjente për anulimin e konferencës.

Machado u shpall fituese e Nobelit për Paqe në tetor për “luftën e saj të palodhur kundër regjimit autoritar venezuelian”. E njohur shpesh si “Zonja e Hekurt” e Venezuelës, ajo ia dedikoi çmimin popullit të vendit të saj dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka mbështetur opozitën venezueliane me presion të rritur ushtarak dhe politik ndaj Maduros.

Vendndodhja e Machado-s mbetet e panjohur, por raportohet se ajo mund të ketë arritur në Europë me ndihmën e SHBA-së, pasi dyshohet se është shmangur nga Venezuela përmes Puerto Ricos. Autoritetet venezueliane e akuzojnë atë për “komplot, nxitje urrejtjeje dhe terrorizëm”, duke paralajmëruar se çdo udhëtim jashtë vendit e bën atë “të arratisur”.

Krizat politike në Venezuelë janë përshkallëzuar që prej zgjedhjeve të korrikut 2024, të cilat Maduro refuzoi t’i pranonte pas fitores së kandidatit opozitar Edmundo González, i cili më pas u detyrua të largohej në ekzil, ndërsa Machado u detyrua të fshihej.

Ceremonia e këtij viti pritet të ketë një prani të lartë liderësh botërorë – më të madhen që prej vitit 2012 – me presidentët e Argjentinës, Panamasë, Ekuadorit dhe Paraguait që pritet të marrin pjesë.

Instituti Nobel publikoi edhe videon e çastit kur Machado u njoftua me telefon se kishte fituar çmimin: “Oh Zot! Nuk kam fjalë… Jam vetëm një person, nuk e meritoj këtë,” u shpreh ajo emocionuar.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta