Tensionet mes Tajlandës dhe Kamboxhias janë rikthyer me forcë, duke rrëzuar armëpushimin e brishtë të ndërmjetësuar disa muaj më parë nga presidenti amerikan Donald Trump.

Që nga e hëna, përplasjet kanë shkaktuar vdekjen e tre ushtarëve tajlandezë dhe shtatë civilëve kamboxhianë, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e dhunës.

Ushtria tajlandeze ka kryer bombardime ajrore përgjatë vijës së diskutuar kufitare, në një shkallë përshkallëzimi që nuk ishte parë që nga korriku, kur luftimet pesëditore lanë 48 të vrarë dhe mijëra të zhvendosur. Pas atij episodi, ndërhyrja e Trump dhe ndërmjetësimi i Malajzisë çuan në një marrëveshje që Tajlanda refuzoi ta quante “Marrëveshja e Kuala Lumpur-it”, duke përdorur një emër teknik.

Vetëm dy javë pas nënshkrimit, Bangkoku e pezulloi zbatimin e saj. Dhuna rifilloi në dhjetor.

Shkaku i mosmarrëveshjes i ka rrënjët më shumë se një shekull më parë, te kufijtë e përcaktuar pas administrimit francez në Kamboxhia. Zona përreth tempullit 11-shekullor Preah Vihear mbetet thelbi i debatit. Që prej vitit 2008, sa herë Kamboxhia ka bërë hapa drejt regjistrimit të tempullit si pasuri e UNESCO-s, tensionet kanë shpërthyer.

Këtë vit, situata u përkeqësua ndjeshëm pas vrasjes së një ushtari kamboxhian në maj. Të dy shtetet ngritën forcat pranë vijës kufitare dhe vendosën kufizime tregtare ndaj njëra-tjetrës.

Ngjarjet e ditëve të fundit janë të mjegullta. Tajlanda thotë se ushtarët e saj u qëlluan në provincën Ubon Ratchathani, duke e detyruar ushtrinë të hakmerrej me sulme ajrore. Kamboxhia, nga ana tjetër, thotë se ishte e sulmuar e para në territorin e saj dhe se nuk ka kryer kundërsulm.

Tajlanda akuzon Kamboxhian për përdorim të raketave, dronëve bombardues dhe dronëve vetëvrasës, ndërsa Phnom Penh pretendon se Tajlanda ka qëlluar drejt zonave civile në provincën Pursat.

Edhe për luftimet e korrikut palët dhanë versione krejt të ndryshme, nga përdorimi i dronëve deri te shkeljet e marrëveshjeve të mëparshme dhe vendosja e telave me gjemba rreth një tempulli afër kufirit.

Bangkok e “ngriu” marrëveshjen që në nëntor, duke thënë se kërcënimi nuk kishte rënë. Pas rikthimit të luftimeve këtë muaj, ministri i Jashtëm tajlandez deklaroi se “armëpushimi nuk po funksionon”.

Kamboxhia këmbëngul se ka respektuar pikat e marrëveshjes, ndërsa Trump u ka kërkuar të dyja palëve të zbatojnë detyrimet. Marrëveshja parashikonte tërheqjen e armëve të rënda dhe ngritjen e një ekipi monitorues, si dhe lirimin e 18 ushtarëve kamboxhianë të mbajtur në Tajlandë.

Për momentin, nuk ka shenja të qarta për ulje tensionesh. Analistët paralajmërojnë se mungesa e udhëheqjes së fortë politike në të dyja vendet po e vështirëson de-eskalimin.

Britania e Madhe paralajmëron të shmanget çdo udhëtim jo i domosdoshëm në një brez 50 km përgjatë kufirit nga të dyja anët. Pjesa tjetër e territorit të Tajlandës dhe Kamboxhias mbetet e sigurt, por situata po ndryshon me shpejtësi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta