Video/ U ngjit në shkëmb për të bërë selfie, momenti kur turisti rrëshqet nga mali

08/12/2025 22:28

Një turist në Kinë ka shpëtuar për mrekulli pasi u rrëzua nga një shkëmb i lartë gjatë një tentative për të bërë një selfie në malin Huaying, në Guang’an.

Videoja e incidentit është bërë virale në rrjetet sociale, duke treguar momentin kur burri po lëvizte buzë një shkëmbi të ngushtë dhe humbi ekuilibrin pasi një pjesë e gurit u shemb nën këmbët e tij.

Në pamje shihet se si ai rrëshqet në pjerrësi dhe zhduket mes pemëve, ndërsa shokët e tij të alarmuar nxitojnë drejt buzës së shkëmbit për të parë çfarë ka ndodhur.

Sipas raportimeve lokale, turisti ra rreth 15 metra, por fatmirësisht doli vetëm me dëmtime të lehta. Më vonë ai konfirmoi në rrjetin social WeChat se është mirë me shëndet dhe e quajti shpëtimin e tij “një mrekulli”.

“Jam shumë me fat. Mendova se gjithçka kishte mbaruar. Është mirë të jesh gjallë dhe do ta vlerësoj këtë mundësi,” shkroi ai.

Zyrtarët e parkut thanë se nuk kanë marrë njoftime zyrtare për një rënie brenda zonës së mbrojtur dhe theksuan se vendi i ngjarjes – i njohur si Blade Rock – ndodhet jashtë kufijve të zonës së licencuar për vizitorë. Autoritetet kujtuan se ngjitja në zona të rrezikshme apo të mbyllura është e ndaluar.

Ngjarja ka risjellë në vëmendje rreziqet që lidhen me fotot ekstreme në natyrë, veçanërisht në terrene malore, ku turistët shpesh ekspozohen ndaj rreziqeve pa ndërmarrë masa të nevojshme sigurie.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta