Sezon i dobët për ullirin/ Ankohen fermerët e Delvinës: U dëmtuam nga zjarret, përmbytjet dhe ndryshimet klimatike

08/12/2025 12:10

Në Bajkaj të Delvinës, sezoni i mbledhjes së ullinjve po zhvillohet mes vështirësive të mëdha. Edhe pse kjo periudhë zakonisht shoqërohet me aktivitet të shtuar në parcela, këtë vit prodhimi ka qenë i pakët dhe shumë fermerë e quajnë sezonin “më të dobëtin e viteve të fundit”.

Sipas banorëve, një pjesë e konsiderueshme e frutit ka rënë para kohe në tokë dhe është kalbëzuar, duke sjellë humbje të mëdha ekonomike. Shkak janë bërë kushtet atmosferike ekstreme: gjatë verës zona u godit nga zjarret, të cilat dëmtuan mijëra rrënjë ullinjsh, ndërsa gjatë dimrit shirat e dendur përmbytën disa prej parcelave të mbjella.

Fermerët thonë se këtë sezon janë detyruar të punojnë vetë, pasi gjetja e punëtorëve është thuajse e pamundur dhe kostot për ta paguar kanë shkuar përtej mundësive të tyre.

“Dëmet janë të mëdha. Prodhimi është shumë i ulët dhe çmimet e punës nuk i përballojmë dot. Punojmë vetë, për të mos e lënë krejt pas dore ullirin”, shprehen fermerët.

Ndërsa situata mbetet e vështirë, banorët kërkojnë më shumë mbështetje dhe vëmendje për sektorin e ullishtarisë, një prej burimeve kryesore të ekonomisë së zonës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta