Pamje të rënda dhune kanë ardhur këtë të hënë nga ishulli i Kretës, ku protesta e fermerëve grekë është përshkallëzuar në mënyrë të paprecedentë.
Turma të mëdha protestuesish u përplasën me forcat policore pranë aeroporteve të Haniasë dhe Iraklios, në një valë përleshjesh që po trondit vendin prej javësh.
Në Hania, tensionet shpërthyen kur fermerët thyen kordonin policor, përmbysën një automjet të policisë dhe detyruan njësitë speciale të tërhiqen, pavarësisht përdorimit të gazit lotsjellës. Ngjarje të ngjashme u regjistruan edhe në Iraklion, ku dhjetëra protestues arritën të depërtojnë deri në pistën e aeroportit, duke shkaktuar mbylljen e tij të përkohshme.
Protesta e sotme është pjesë e një lëvizjeje të gjerë që prej fund-nëntorit ka përfshirë gjithë Greqinë. Fermerët kërkojnë përshpejtimin e subvencioneve të BE-së dhe uljen e kostove të prodhimit, në mes të akuzave për shpërndarje të padrejtë të ndihmave financiare vetëm për individë të lidhur me pushtetin.
Në veri të Greqisë, bllokadat vazhdojnë në doganën e Promahonas me Bullgarinë, në autostradën Egnatia pranë Kozanit, si edhe në Kardhicë e Thesali, ku qindra traktorë mbajnë të paralizuara rrugë strategjike. Në disa zona protestat janë simbolike, ndërsa në të tjera situata ka degjeneruar në përplasje të drejtpërdrejta me policinë.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis u ka bërë thirrje fermerëve të ulin tonet, duke premtuar se pagesat e subvencioneve dhe masat mbështetëse do të kryhen brenda dhjetorit. Por protestuesit paralajmërojnë se do të ashpërsojnë aksionet nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen menjëherë.
Situata në shumë zona të vendit mbetet e tensionuar, dhe autoritetet greke presin që gjatë ditës protestat të marrin përmasa edhe më të mëdha, në një prej mobilizimeve më serioze të fermerëve vitet e fundit.
Top Channel