Përleshje vdekjeprurëse në kufirin Tajlandë-Kamboxhia, 5 të vdekur, mbyllen shkollat

08/12/2025 13:15

Pesë persona ndërruan jetë dhe shumë persona janë plagosur gjatë përleshjeve të reja në kufirin midis Tajlandës dhe Kamboxhia, ndërkohë ka filluar evakuimi në masë i banorëve.

Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për fillimin e dhunës, e cila është konfrontimi më serioz midis dy vendeve që kur ata ranë dakord për një armëpushim në korrik.

Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, thotë se vendi i tij “nuk ka dashur kurrë dhunë”, por do të “përdorë mjetet e nevojshme për të ruajtur sovranitetin e tij”.
Ndërsa ish-udhëheqësi i Kamboxhias, Hun Sen, akuzoi “pushtuesit” tajlandezë për provokim hakmarrjeje.
Që nga maji, tensionet në rritje midis fqinjëve kanë çuar në më shumë se 40 vdekje, si dhe në ndalime importi dhe kufizime udhëtimi.
Ushtria tajlandeze tha se trupat e saj i ishin përgjigjur zjarrit kamboxhian, duke përfshirë edhe nisjen e sulmeve ajrore përgjatë kufirit të diskutueshëm, ndërsa ministria e mbrojtjes e Phnom Penh tha se ishin forcat tajlandeze që sulmuan të parat, në provincën Preah Vihear të Kamboxhias. Të paktën një ushtar tajlandez dhe katër civilë kamboxhianë janë vrarë dhe rreth një duzinë janë plagosur si pasojë e luftimeve të së hënës, sipas zyrtarëve nga të dyja palët.

Gati 650 shkolla në pesë provinca tajlandeze janë urdhëruar të mbyllen për arsye sigurie, pas tensioneve të reja që kanë filluar që nga e diela. Ndërkohë, kaosi ka përfshirë edhe shkollat në provincat kufitare të Kamboxhias, ndërsa prindërit nxituan të merrnin fëmijët e tyre në shtëpi.

Mosmarrëveshja shekullore kufitare midis kombeve të Azisë Juglindore u përshkallëzua në mënyrë dramatike me një breshëri raketash nga Kamboxhia në Tajlandë në mëngjesin e 24 korrikut, e ndjekur nga sulme ajrore tajlandeze.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta