Në zemër të Vlorës, aty ku nisi historia e shtetit shqiptar, prej pak javësh ka hapur dyert një lokal i vogël, por me një emër të madh: “1912”.
E veçanta e këtij bari nuk është vetëm atmosfera, dekorimet historike apo vendndodhja, por fakti se ai është hapur nga dy shtetas amerikanë, Toni Di Lorenzo dhe bashkëshortja e tij, Kendall. Toni, një i apasionuar pas historisë, thotë se emri i lokalit lindi krejt natyrshëm, pasi përmes videove në internet ishte njohur me aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
“Jam amerikan. Kemi jetuar më parë në Tajlandë, por atje temperaturat janë shumë të larta dhe kjo nuk na pëlqente. Donim një vend me katër stinë, me standard jetese të arsyeshëm, një vend turistik, por edhe me mundësi për të hapur një biznes. Fillimisht po kërkonim për Portugalinë, por rastësisht na dolën disa video për Shqipërinë. Kur erdhëm këtu, mbetëm të mahnitur: mikpritja, kultura, njerëzit, afërsia me gjithçka. Në Tajlandë shpesh ndiheshim të huaj, mbase nga pamja, dhe vinim re që njerëzit krijonin menjëherë distancë. Ndërsa këtu ndodhi e kundërta që në momentin e parë u ndjemë si në shtëpinë tonë”, shprehet Toni Di Lorenzo.
Prej tre javësh, çifti shërben kafe në këtë bar të vogël, ku klientët e parë kryesisht të huaj habiten nga fotografitë e Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Luigj Gurakuqit etj që zbukurojnë muret.
“U tregoj për Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Luigj Gurakuqin, dhe për atë që ata kanë bërë për Shqipërinë. Ata habiten! Por, për të qenë i sinqertë, edhe shumë shqiptarë çuditen me njohuritë e mia. Mua më pëlqen shumë historia dhe s’ka vend më të mirë për të folur për të sesa mbi një filxhan kafeje.”, shton ai.
Edhe bashkëshortja e tij, Kendall, është tashmë e dashuruar me Vlorën.
“Keni një natyrë dhe mot fantastike, por dhe njerëz shumë të ngrohtë ..ndihem pak keq që s’di gjuhën shqipe, por jemi duke shkëmbyer eksperiencë gjuhesh me ju…”, u shpreh Kendall Di Lorenzo.
E vetmja sfidë që Çifti amerikan ka për momentin është gjuha shqipe, por burrë e grua janë të vendosur ta mësojnë, pasi jetën e tyre tashmë e kanë projektuar në Vlorë.
Top Channel