Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur të premten para godinës së SPAK-ut, ku moderatorët e Fiks Fare, Xhemi Shehu dhe Julian Deda, u shfaqën të shoqëruar nga një grup sazesh, duke realizuar xhirime të cilat brenda pak minutash u kthyen në kryefjalën e mediave online.
Me muzikë tradicionale, valle e atmosfere festive përballë një institucioni serioz si Prokuroria e Posaçme, dyshja ka ngritur jo pak pikëpyetje. Pamjet blic u shpërndanë me shpejtësi në portale, ndërsa kalimtarët dhe gazetarët u përpoqën të kuptonin se çfarë po ndodhte.
Por Xhemi dhe Juli kanë zgjedhur të qëndrojnë në heshtje, një heshtje artistike, që vetëm sa shton misterin. Edhe pse filmimi ndodhi fizikisht përpara SPAK-ut dhe krijoi bujë të menjëhershme, përmbajtja e këtij skenari mbetet e mbyllur me kyç.
Mësohet se kjo skenë është pjesë e edicionit special të fundvitit të Fiks Fare, i cili do të transmetohet më 31 dhjetor. Vendimi për të vendosur sazet para SPAK-ut, aty ku zakonisht flitet seriozisht, ka ngritur pritshmëritë e publikut për edicionin special të fundvitit
A është satirë politike? Ironi për drejtësinë? Apo një skenë që synon të ‘trazojë ujërat’?
Përgjigjja mbetet mister… deri në natën e ndërrimit të viteve.
Çfarë fshihet pas këtij skenari, zbulohet më 31 dhjetor në Fiks Fare.
Top Channel