FIFA ka zyrtarizuar një risi të madhe për Kupën e Botës 2026: çdo ndeshje do të ndalet për një “pushim hidratimi” tre-minutësh në mesin e secilës pjesë.

Ky rregull i ri, i cili praktikisht e ndan lojën në katër pjesë – njësoj me NBA-n apo NFL-n – u aprovua gjatë takimeve mes drejtuesve, trajnerëve dhe transmetuesve, të zhvilluara paralelisht me shortin e Botërorit.

Stafi mjekësor i FIFA-s mbështeti vendimin duke e cilësuar si një masë sigurie për futbollistët, ndërsa trajnerët përfitojnë një dritare shtesë për udhëzime dhe korrigjime taktike gjatë lojës.

Në të kaluarën, pushimet e tilla për freskim lejoheshin vetëm në kushte të nxehtësisë ekstreme. Por rregulli i ri nuk varet më nga temperatura: pauza tre-minutëshe do të jetë obligative në çdo ndeshje, rreth minutës së 22-të, kudo që të luhet ndeshja.

“Për çdo ndeshje, pavarësisht vendit, kushteve atmosferike apo faktit nëse stadiumi ka çati, do të zbatohet një pushim tre-minutësh për hidratim,” deklaroi FIFA.

Manolo Zubiria, shefi i turneut, konfirmoi se pauza do të zgjasë “tre minuta nga fishkëllima në fishkëllim”. Loja nuk do të ndalet në orar, por arbitrat do të shtojnë tri minuta shtesë në fund të secilës pjesë.

Grupet që mbrojnë të drejtat e futbollistëve pritet të mirëpresin vendimin, edhe pse FIFPRO ka kërkuar pushime më të shkurtra dhe më të shpeshta. Debati u ndez sidomos pas Kupës së Klubeve 2023, ku disa ndeshje u luajtën në vapë përvëluese rreth 32°C, duke detyruar FIFA-n të ulte pragun e pushimeve për freskim.

Për Botërorin 2026, FIFA ka planifikuar që shumica e ndeshjeve të pasdites të zhvillohen në stadiume me çati apo klimatizim, ndërsa mbrëmjet do të luhen në qytetet më të nxehta si New Jersey, Miami, Filadelfia, Kansas City dhe Monterrey. Finalja mbetet e planifikuar në orën 15:00 në MetLife Stadium.

Pushimet e reja mund t’u japin gjithashtu transmetuesve mundësi për reklama shtesë gjatë lojës – diçka që FIFA nuk e përmendi, por që rrjetet televizive e shohin si mundësi të rëndësishme tregtare. Po ashtu, u konfirmua se turneu do të ketë tre ceremoni hapjeje: në Mexico City për ndeshjen e parë, në Toronto për debutimin e Kanadasë dhe në Los Angeles për ndeshjen e parë të SHBA-ve.

Botërori 2026 do të nisë më 11 qershor dhe do të zgjasë 39 ditë, me 104 ndeshje gjithsej. Ndërkohë, shorti ka sjellë një rrugë të vështirë për Anglinë, e cila nëse synon fundin e mallkimit 60-vjeçar, do të ketë përballje të forta. Skuadra e Thomas Tuchel do të ndeshet në grup me Kroacinë, Ganën dhe Panamanë, ndërsa rruga në eliminatore mund t’i vërë përballë gjigantëve të futbollit botëror.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta