Europa ‘kriset’ me SHBA-në/ Takimi i Zelenskyt në Londër, Gjermania del kundër: Nuk na bindin disa pika

08/12/2025 19:34

Kryeministri Starmer pas takimit të tre liderëve evropianë në Downing Street me presidentin Zelensky, tha se negociatat e sotme janë në një fazë kritike në shtysën drejt paqes në Ukrainë.

Në takimin e Londrës ku ishin të pranishëm presidenti francez Macron dhe kancelari gjerman Frederich Merz, mesa duket çështja e garancive të sigurisë për Ukrainën dhe roli i evropianëve dhe amerikanëve mbetet kyç sipas liderëve evropianë për një paqe të qëndrueshme. Ndërkohë më shumë se ushtarakisht, evropianët kanë në dorë disa karta në këtë fazë të negociatave për një marrëveshje paqësore, detajet e të cilave sipas kancelarit gjerman mbesin skeptike.

Territoret janë çështja më problematike e bisedimeve sipas burimeve që kanë kontakte me negociatat. Takimi ndodh pas dy ditë bisedimesh mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë në Miami, të cilët duket se nuk kanë çuar në ndonjë rezultat konkret të paktën publikisht. Gjithsesi Zelenski ka nënkuptuar për një marrëveshje kompromisi për paqen e propozuar nga presidenti amerikan.

Bisedimet në Downing Street të tre vendeve të Natos me buxhetet ushtarake më të mëdha të Nato-s, përveç kontributit amerikan, bëhen në kushtet kur qëndrimi amerikan është larg dëshirave dhe pozicioneve të Evropës, e cila nuk ka atë peshë që kanë amerikanët në zgjidhjen e sfidave të tilla gjeopolitike si lufta në Ukrainë. Starmer ka deklaruar sot në Londër se nuk do të ushtrojë presion ndaj presidentit Trump për këtë çështje në këtë fazë.

Amerikanët janë të etur për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë pavarësisht se kush fiton a humbet më shumë, pasi ka një etje të madhe në Uashington për marrëdhënie më të mëdha dhe më të ngushta me rusët në fushën ekonomike, në hapjen e Arktikut dhe për një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar me Moskën, ku rusët do të ripranoheshin në strukturat botërore të trajtimit të çështjeve të mëdha që sfidojnë botën.

Ndërkaq, ukrainasit janë nën një presion të jashtëzakonshëm nga rusët në fushëbetejë nga njëra anë, pas suportit të mëparshëm amerikan, dhe presionit politik dhe publik të presidentit Trump nga ana tjetër, në periudhën më të vështirë të historisë së tyre si komb, argumentueshme edhe më të pafat.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta