Besa rikthehet te fitorja në Kategorinë e Parë, Magani debuton me tre pikë kundër Burrelit
08/12/2025 17:04
Besa e Kavajës nisi mbarë epokën e re me trajnerin Gugash Magani, duke siguruar një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Burrelit në Kategorinë e Parë.
Pjesa e parë u zhvillua me pak emocione dhe pa raste të pastra, ndërsa fraksioni i dytë foli plotësisht për skuadrën vendase. Avantazhi erdhi në minutën e 54-t, kur Spahiu finalizoi një aksion të shpejtë të kavajasve. Ndërsa në minutën e 73-të, Kapo dyfishoi avantazhin, duke vulosur suksesin dhe rikthimin te rezultatet pozitive.
Me këtë trepikësh, Besa ngjitet në vendin e tetë të renditjes me 17 pikë. Burreli, nga ana tjetër, mbetet në kuotën e 19 pikëve dhe pozicionohet i shtati.
Rezultati final:
Besa 2-0 Burreli
Spahiu 54’, Kapo 73’
Top Channel