Gjirokastër, alarm nga mbetjet/ Katastrofë mjedisore në Gërhot, Bashkia nuk e menaxhoi si duhet situatën

07/12/2025 13:19

Rregulli i vend-depozitimit të mbetjeve në Gërhot, e cila në vitin 2022 u cilësua si një transformim i rëndësishëm i zonës, u mbajt në memorien e qytetarëve vetëm për pak kohë.

Investimi, me vlerë 13,179,202 lekë me TVSH, financuar nga Bashkia Gjirokastër, sipas tabelës zyrtare të kantierit, kishte si synim rehabilitimin dhe mbylljen përfundimtare të fushës së mbeturinave.

Në atë kohë, u deklarua gjithashtu se mbetjet e qytetit do të transportoheshin drejt landfillit të Bajkaj, duke shmangur përfundimisht përdorimin e Gërhotit. Por as kjo nuk u realizua kurrë.

Sot, vetëm pak vite më vonë, gjendja në Gërhot është sërish katastrofike.

Pavarësisht fondeve të shpenzuara dhe përfundimit të projektit, Bashkia Gjirokastër nuk arriti ta menaxhojë territorin e rikualifikuar. Fusha që zyrtarisht duhej të ishte mbyllur dhe monitoruar, është kthyer përsëri në një vendgrumbullim të pakontrolluar.

Çdo ditë, qyteti prodhon rreth 18 ton mbeturina, të cilat përfundojnë pa asnjë kriter në lagjen Gërhot, duke e shndërruar zonën në një vatër serioze infeksionesh dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik.

Transformimi i vitit 2022 që duhej të shërbente si zgjidhje afatgjatë, sot është vetëm një kujtim i shkurtër. Realiteti në terren tregon se investimi i Bashkisë Gjirokastër nuk u shoqërua me menaxhim të qëndrueshëm, ndërsa premtimet për transportimin e mbetjeve drejt landfillit të Bajkaj mbetën të papërmbushura.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta