Cremonese nuk ndalet më. Pas triumfit të rëndësishëm në transfertë ndaj Bologna-s, skuadra e drejtuar nga Davide Nicola regjistroi suksesin e dytë radhazi, këtë herë përballë Lecce-s, duke fituar 2-0 në stadiumin “Zini” dhe duke treguar se është një nga surprizat më të këndshme të këtij sezoni në Serie A.

Sfida nisi me një rast të artë për miqtë, kur Stulic u gjend i vetëm përballë portierit, por gaboi në momentin vendimtar duke humbur një mundësi të pastër për avantazh. Lecce u mbështet shumë edhe te dy lojtarët e Kombëtares Shqiptare, Ylber Ramadani dhe Medon Berisha, të cilët ishin titullarë në këtë, por që u zëvendësuan të dy në minutën e 77-të.

Pjesa e dytë solli edhe momentet vendimtare. Në minutën e 53-të, arbitri akordoi penallti për Cremonese-n pas një ndërhyrjeje të Ramadanit ndaj Vandeputte-s në zonë. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Bonazzoli, i cili dërgoi topin në rrjetë dhe zhbllokoi rezultatin.

Goli u dha siguri vendësve, që nisën të kontrollonin më mirë lojën dhe të kërkonin mbylljen e sfidës. Rrjeta e dytë erdhi në minutën e 78-të, kur Sanabria realizoi golin e tij të parë me fanellën e Cremonese-s, duke vulosur fitoren 2-0.

Me këtë formë të shkëlqyer, Cremonese konfirmohet si një prej ekipeve më në formë të kampionatit, ndërsa Lecce largohet nga “Zini” me keqardhje, duke mos shfrytëzuar rastet dhe duke vuajtur gabimet në momente kyçe, përfshirë faullin e Ramadanit që solli penalltinë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta