Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, në takimin e fundit kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës, raporton “Koha”.
Në anën tjetër “së paku 13 shtete” kanë kërkuar që ato të hiqen.
Edhe pse prej një kohe të gjatë Bashkimi Evropian kishte paralajmëruar se masat ndaj Kosovës do të hiqen sapo të kryhet “transferimi normal i pushtetit lokal në komunat veriore”, kjo nuk pritet të ndodhë, së paku jo para se të përfundojnë zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Përfaqësuesit e Komisionit në këto takime kanë thënë se janë të gatshëm të vijojnë me heqjen e mëtejshme të masave, nëse do të ketë transferim të duhur të pushtetit lokal, por disa diplomatë dyshojnë se Komisioni nuk e ka vullnetin e sinqertë për ta bërë një gjë të tillë.
Franca ka shprehur dyshime nëse palët kanë ndërmarrë hapa të sinqertë për de-eskalim në veri gjatë vitit 2025.
Por edhe pse ka përmendur “palët”, fakti është se vetëm Kosova ka pësuar sanksione nga kjo situatë.
Serbia nuk ka pasur sanksione, edhe pse vetë BE disa herë është shprehur se largimi i Serbëve nga institucionet e Kosovës në veri ka qenë “shkelja më e rëndë e obligimeve të Serbisë nga marrëveshjet e dialogut”.
Italia, nga ana tjetër, sipas diplomatëve, është shprehur se duhet pritur përfundimi i zgjedhjeve të dhjetorit para se të avancohet me heqjen “graduale” të masave.
Për heqjen e masave, sipas burimeve diplomatike, në këto takime janë angazhuar Gjermania, Sllovenia, Kroacia dhe Austria
Top Channel