Zelensky telefonon Witkoff dhe Kushner, zbardhet biseda mes zyrtarëve të lartë

06/12/2025 22:34

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi një bisedë telefonike me të dërguarin e paqes të Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner.

Zelensky e cilësoi konstruktive bisedën, duke shtuar se kishin diskutuar se si të siguroheshin që Rusia t’i përmbahej çdo marrëveshjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës.

Ndërkohë, zyrtarët ukrainas po zhvillojnë sërish bisedime në Miami, mbi përpjekjet e SHBA-së për të hartuar një marrëveshje paqeje me Rusinë. Nga ana e saj, Moska nuk duket se ka bërë ndonjë lëshim dhe vazhdon të kryejë bombardime masive të Ukrainës.

“Ukraina është e vendosur të vazhdojë të punojë me mirëbesim me palën amerikane për të arritur vërtet paqen. Ne mbuluam shumë aspekte dhe shqyrtuam pikat kryesore që mund të siguronin fundin e gjakderdhjes dhe të eliminonin kërcënimin e një pushtimi të ri rus në shkallë të plotë”, tha Zelensky pas bisedës telefonike me Witkoff dhe Kushner.

Ndërkohë, sulmet e fundit të Rusisë ndaj Ukrainës u dënuan ashpër nga udhëheqësit evropianë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, telefonoi homologun Zelensky.

“Franca është e vendosur të punojë me të gjithë partnerët për të siguruar masa për uljen e tensioneve dhe për të imponuar një armëpushim”, tha Macron, i cili konfirmoi se do t’i bashkohej Zelenskyt, Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, dhe Kancelarit gjerman, Friedrich Merz, në bisedimet në Londër të hënën.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta