Millwall mundi Bristol Cityn me rezultatin 0-1, dhe goli i vetëm në ndeshje u shënua nga 21-vjeçari Ivanoviç.

Ishte minuta e 59-të kur Mihailo Ivanoviç tundi rrjetën e kundërshtarit. Skuadra mike mori topin në gjysmën e fushës, pati një tranzicion të shpejtë dhe disa largime topi, përpara se Bangura-Williams t’ia kalonte topin Ivanovic, i cili gjuajti saktë dhe kështu i solli fitoren ekipit të tij.

Me këtë fitore, Millwall u ngjit në vendin e tretë në Kampionat, dhe është interesante se ata kanë një diferencë golash prej -2. Pasi ndeshja mbaroi dhe skuadra udhëtuese fitoi, pati një përleshje të përgjithshme pranë vijës anësore.

Trajneri i Milwall, Alex Neal, dhe një nga anëtarët e stafit të trajnerëve të Bristolit ishin të parët që hynë në konflikt, dhe më pas mbërriti lojtari i Bristolit, Jason Knight. Mesfushori i ekipit vendas e shtyu Neal, i cili ia ktheu me të njëjtën mënyrë, dhe më pas pati një rrëmujë të plotë.

Mes gjithë kësaj zallamahie, shqiptari Anis Mehmeti u pa vetëm në një moment të shkurtër, duke u përpjekur të ndante dhe të qetësonte futbollistët e përfshirë në sherr. Ai qëndroi larg konfliktit, duke tentuar të shmangte përshkallëzimin e mëtejshëm.

Për Bristol City-t humbja është shumë e rëndë, pasi me këtë rezultat skuadra zbret jashtë zonës së “play-off”, duke shtuar presionin në garën për ngjitjen në Premier League. Ndërkohë, pritet që Federata Angleze të analizojë pamjet dhe të marrë masa disiplinore për incidentin e turpshëm që ka tërhequr vëmendjen e medieve në mbarë vendin.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta