Fermerët nuk tërhiqen, bllokojnë pikat nevralgjike të rrjetit rrugor në Greqi, kaos në autostrada
Elon Musk sulmoi ashpër Bashkimin Evropian pas vendimit për ta gjobitur platformën e tij X me 120 milionë euro, duke deklaruar se “BE-ja duhet të shfuqizohet dhe sovraniteti t’u kthehet vendeve individuale, në mënyrë që qeveritë të mund të përfaqësojnë më mirë qytetarët e tyre”.
Komenti u publikua në X vetëm pak orë pas shpalljes së sanksionit. Gjoba e vendosur nga Komisioni Evropian vjen pas gati dy vitesh hetimesh lidhur me shkeljet e dyshuara të Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA), një rregullore e re e BE-së që synon të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë e platformave të mëdha online, sidomos për përmbajtjen e paligjshme dhe të dëmshme.
Sipas Brukselit, X ka dështuar të respektojë detyrimet ligjore për transparencë, raportim dhe verifikim të burimeve. Gjoba është e para e këtij lloji që zbatohet në bazë të DSA-së. Megjithëse 120 milionë euro për Musk përfaqësojnë një barrë të lehtë financiare, vendimi ka shkaktuar reagime të menjëhershme politike, si në SHBA ashtu edhe në Evropë.
Reagimet pro dhe kundër në Evropë
Viktor Orbán, kryeministri i Hungarisë, e cilësoi veprimin e Brukselit si një “sulm ndaj lirisë së fjalës”, duke shkruar në X: “Kur shefat e Brukselit nuk e fitojnë dot debatin, kërkojnë gjoba. Evropa ka nevojë për lirinë e fjalës, jo për burokratë të pazgjedhur që vendosin çfarë lexojmë ose themi. Urime Elon Musk për mbajtjen e vijës.”
Edhe Geert Wilders, udhëheqësi i ekstremit të djathtë në Holandë, reagoi ashpër duke kërkuar madje “shfuqizimin e Komisionit Evropian”: “Askush nuk ju zgjodhi. Ju nuk përfaqësoni askënd. Jeni një institucion totalitar. Ne nuk duhet të pranojmë gjobën ndaj X, por të shfuqizojmë Komisionin Evropian.”
Në anën tjetër, Nicola Zingaretti, kreu i delegacionit të Partisë Demokratike në Parlamentin Evropian, deklaroi se reagimet e Muskut dhe të administratës amerikane tregojnë nevojën për të forcuar BE-në: “Nevojitet një pikë kthese për një Evropë më të bashkuar, më të fortë dhe më mbështetëse. Jo një Evropë të dobësuar, siç do të donte e djathta nacionaliste.”
Top Channel