7 km rrugë e ndërtuar nga Fondi i Zhvillimit rrezikon jetën e 200 banorëve, shkak rrëshqitja e masiveve malore.
Segmenti 7-kilometërsh i ndërtuar në fazën e parë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hyrë në një gjendje alarmante, pasi masive malore kanë nisur të rrëshqasin drejt rrugës, duke krijuar çarje dhe deformime të mëdha në trupin e saj. Situata po rrezikon jetën e rreth 200 banorëve të Golëmit, të cilët lëvizin çdo ditë në një aks që tashmë është bërë i pasigurt dhe në disa zona i pakalueshëm.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, duke theksuar se prej ditësh presin reagimin e institucioneve.
“Nëse Fondi i Zhvillimit nuk ndërhyn urgjentisht, protesta do të përshkallëzohet,” shprehen ata, duke paralajmëruar bllokime më të mëdha të rrugës.
Banorët thonë se stabilizimi i skarpateve dhe vlerësimi teknik nga ekspertët duhet të bëhen pa vonesë, për të shmangur izolimin e plotë të zonës, dhe ndonjë tragjedi të mundshme.
Top Channel