Bisedimet për paqe në Miami nuk ndalin Rusinë, sulmon Ukrainën gjatë natës me dronë

06/12/2025 13:28

Rusia ka sulmuar Ukrainën me dronë dhe raketa në orët e para të së shtunës, teksa zyrtarët amerikanë dhe ukrainas vazhdojnë bisedimet në Miami, për t’i dhënë fund konfliktit.

Rusia përdori më shumë se 650 dronë dhe 51 raketa gjatë natës, thanë forcat e armatosura të Ukrainës, me dronë që synuan vende në të gjithë shtetin, duke përfshirë rajonet perëndimore qindra milje nga vija e frontit.
Sirena paralajmëruese u dëgjuan gjithashtu në pjesë të Polonisë lindore, afër kufirit ukrainas.
Të paktën tre persona u plagosën në sulmet në rajonin e Kievit.

Pjesa më e madhe e sulmit gjatë natës kishte në shënjestër termocentralet dhe infrastrukturën tjetër energjetike.
Rusia ka sulmuar pa pushim kapacitetet energjetike të Ukrainës në javët e fundit, me qëllim ndërprerjen e furnizimit me ngrohje, drita dhe ujë, ndërsa vendi përgatitet për një dimër të katërt konflikti në shkallë të plotë.
Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se kishte rrëzuar 116 dronë ukrainas mbi territorin rus, ndërsa kishte raportime të pakonfirmuara se Ukraina kishte goditur një rafineri nafte në qytetin e Ryazanit.

Pavarësisht përpjekjeve të presidentit të SHBA, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës, deri më tani ka pasur dakortësim të dyja palët për një qëndrim të përbashkët. Bisedimet midis negociatorëve amerikanë dhe ukrainas do të vazhdojnë në Miami, pas takimit mes Vladimir Putin, Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Moskë në fillim të javës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta