Azili përgjysmohet në Gjermani, ligji i shtetësisë do të ashpërsohet për “mashtruesit”

06/12/2025 07:29

Falë masave të qeverisë Merz, kërkesat për azil në Gjermani, sipas shtypit vendas, kanë rënë me 51%. Një rënie të tillë, nga sa pohon DW, e konfirmoi Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF).

Edhe komentatorë të gazetave konservatore gjermane, si Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruajnë se “kthesa në politikën e azilit u krye”.  Sistemi gjerman i emigrimit në këtë mënyrë lehtësohet dhe ky është një konfirmim i efektivitetit të masave të marra nga qeveria e re.

Që kur erdhi në pushtet shtatë muaj më parë, qeveria Merz dërgoi sinjale në disa fusha njëkohësisht: me kontrollet kufitare, me sprapësimet në kufi dhe me ruajtjen e një toni të ashpër ndaj emigracionit të paligjshëm në diskursin publik.Koalicioni aktual qeveritar zbatoi masa më të rrepta për mbrojtjen e kufirit. Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt dërgoi në kufi forca të shumta shtesë të policisë federale dhe këmbënguli që ato të qendrojnë atje, megjithë kritikat.

Dhe shumica e azilkërkuesve ilegalë vijnë pikërisht nga kufiri tokësor, me shtete të sigurta fqinjë me Gjermaninë. Berlini garanton se do të vazhdojë të ofrojë mbrojtje për azilkërkues që rrezikohen, por vitet e fundit ka pasur një shifër të lartë shpërdorimi. Është e vërtetë që Gjermania ka nevojë për të huaj si fuqi punëtore, por kryesisht për fuqi punëtore të kualifikuar, jo për emigrim ilegal. Derisa të arrihet një lidhje “e vërtetë” e dëshirueshme e shtetasve të rinj me Gjermaninë, partitë konservatore, CDU/CSU dhe socialdemokratët e SPD duan të ashpërsojnë më tej ligjin e shtetësisë. Për këtë informoi fillimisht Bild-Zeitung, pastaj edhe burime të tjera.

Ashpërsimi konsiston në një sanksionim të fortë që po përgatitet: në të ardhmen, të gjithë ata që falsifikojnë çertifikatën e provimit të gjermanishtes dhe kapen, nuk do të kenë të drejtë të aplikojnë sërish për shtetësinë gjermane pa kaluar 10 vjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB