Tirana dhe qytetet e tjera të vendit u ndriçuan mbrëmjen e 6 dhjetorit nga dritat shumëngjyrëshe të pemës së Krishtlindjes.

Qytetarë të shumtë iu bashkuan atmosferës festive në sheshin “Skënderbej”, në ndezjen e dritave të pemës së fundvitit, moment që u shoqërua nga kori i shkollave të kryeqytetit, artistë të vegjël dhe grupe të baletit, të cilët performuan nga klasikët e Krishtlindjeve deri te këngët më të dashura të sezonit.

E njëjta atmosferë ishte edhe në qendër të Durrësit, në sheshin Liria, që u ndriçua nga dritat e pemës së festave, në prani të shumë fëmijëve, familjeve dhe vizitorëve. Ky moment festiv u shoqërua me muzikë dhe aktivitete për të vegjlit, duke shënuar nisjen zyrtare të sezonit të festave në qytet.

Tradita shoqëroi dhe qytetin e Fierit, ku qindra qytetarë iu bashkuan gëzimit të ndezjes së dritave në sheshin kryesor, shoqëruar me koncert të përgatitur nga fëmijët e Qendrës Kulturore.

Një moment i tillë festiv nuk mund të mungonte as në Shkodër, që hapi dyert e festave të fundvitit me një ide shumë të veçantë. Pamjet e ndezjes së pemës në Shkodër u ndanë dhe nga kryeministri Edi Rama, ku shfaqet spektakli i vërtetë që emocionoi qytetarët.

Pema e krishtlindjes ndezi dritat edhe në qytetet e tjera të vendit, duke zyrtarizuar nisjen e festave të fundvitit, një moment që sjell gëzim, bashkim dhe shpresë.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB