Derbi i Kryeqytetit, trajneri i Tiranës, Nuhiu: Të fitojmë për tifozët, nuk ndikon në të ardhmen time
Nga Ylli Aga
Një duel Tirana-Partizani, prej gati 80 vitesh, ka qenë gjithmonë një ditë feste, një datë më shumë e shënuar me të kuqe në kalendar dhe një duel i shumëpritur për mijëra tifozët respektivë, por edhe për shumë më tepër për ata që e ndjekin të transmetuar live. E kundërta duket se do të ndodhë këtë radhë. Tifozë të zhgënjyer nga forma e të dyja ekipeve, veçanërisht ato të Tiranës, në heshtje kanë vendosur të braktisin një zgjedhje zemre dhe një axhendë të mirëpërcaktuar. Kohët e tribunave të mbipopulluara, e korëve entuziaste dhe ngacmuese, duket se do të arkivohen për të pritur ditë më të mira dhe përfaqësues më dinjitozë në radhët e të dyja ekipeve. Informacionet që vijnë për numrin e biletave të shitura dëshmojnë qartazi se ky derbi, prania në të cilin për dekada ishte një status shoqëror, duhet të kishe mik për të siguruar një biletë apo cilësi prej akrobati për të kapërcyer pengesat për të hyrë në stadium, këtë radhë me shumë mundësi ndjekësit në mazhorancë do t’i ketë nga shtëpiakë të dëshpëruar.
Derbi, si kryefjalë e futbollit tonë
Më 30 Mars 1947, Partizani i sapokrijuar sipas modelit të “Demokracive popullore”, do të luante dhe fitonte derbin e parë kundër 17 Nëntorit me rezultatin 4-2, por me të veçantën se kishte në formacion 6 futbollistë të rrëmbyer nga rivalët e tyre. Dominimi i të kuqve do të vijonte deri në 18 Nëntorin 1962, teksa në 34 ndeshje numëron 27 fitore dhe 7 barazime. Por gjithkush duhet ta dijë se ishte një kohë, në të cilën rregullat ishin të tilla, që bënin të mundur të bëhej një minigarë mes Partizanit dhe Dinamos dhe një “kampionat më vete” për të gjitha ekipet e tjera. Megjithatë fusha e lojës do të arrinte të prodhonte duele të paharrueshme, të fiksuara rezultate historike dhe krijonte idhuj që do ta lartësonin këtë duel në nivele të pakonkurueshme për çdo sfidë tjetër të futbollit tonë.
Telenovela “derbi i kryeqytetit” mbërrin në serinë 210
Dueli i të dielës Tirana-Partizani do të jetë përballja nr. 210 në historinë e tyre, në të gjitha kompeticionet. Në bilancin e përgjithshëm të kuqtë, numërojnë 82 fitore, 65 barazime dhe 62 fitore për bardheblutë. Kjo epërsi diktohet nga rezultatet e luajtura vetëm në kampionat, në të cilin Partizani në 179 ndeshje ka arritur 73 fitore, 57 janë barazime, ndërsa 49 janë fitoret e Tiranës. Në ndeshjet për Kupën e Shqipërisë, bilanci është më pozitiv për bardheblutë që në 29 ndeshje kanë fituar 13, barazuar 8 dhe 8 ndeshje janë fituar nga të kuqtë. Gjithashtu të dyja klubet kanë luajtur edhe një ndeshje finale në Superkupën e Shqipërisë më 17 Gushtin e 2004, të fituar nga Partizani me rezultatin 2-0.
Derbi i futbollistëve
Kjo është pjesa më e vështirë për t’u pranuar nga ana e tifozerive. Të mësuar me emra sugjestionues, yje që edhe pas dekadash vijojnë të ndriçojnë memorien dhe krenarinë e tyre, përfaqësimi me futbollistë jo në lartësinë e historisë së klubeve ka krijuar një hendek të madh në marrëdhënien me ultrasit dhe opinionin e gjerë sportiv. Nga duelet në vite dhe dekada, ku rivaliteti mes futbollistëve të veçantë si Pano-Halili, Dibra-Berisha, Minga-Musta, Fortuzi-Shulku apo deri së fundmi Muci-Hoxha, do të jetë e vështirë për të gjetur një çift futbollistësh që të krijojë një derbi brenda derbit.
Tirana në 14 javë ka aktivizuar 26 futbollistë, ku i vetmi me minuta të plota 1260 është portieri Tafas dhe prej tyre vlen të veçohet kamerunasi Serge Tabekou me 4 gola të shënuar.
Ndërsa Partizani deri më tani ka aktivizuar 30 futbollistë, me R. Ismaili që numëron 1086 dhe surprizë ka qenë kolumbiani Diego Contreras si autor i 3 golave.
Për këtë ndeshje Tirana nuk do të ketë shërbimet e E. Kola dhe A. Abah të dëmtuar dhe ka të pezulluar Patsasia, Soler dhe Gjumsi.
Ndërkohë te Partizani janë të dëmtuar Keko, Nondi, Cipi. Pritet të bashkohen me skuadrën Skuka dhe Sembene.
Derbi i trajnerëve
Në historinë gati 80-vjeçare të derbit të kryeqytetit, dueli i trajnerëve ka qenë nga pjesët më të bukura. Tanimë do të jetë radha e dy debutuesve për të shijuar mrekullinë e këtij dueli. Trajneri i Tiranës Ardian Nuhiu, pas disa eksperiencave në futbollin e Kosovës, duke kulmuar me një titull kampion me Dritën dhe Maqedonisë së Veriut, do të provojë të fitojë besimin e një ambienti skeptik dhe të zemëruar me rezultatet dhe pozicionin në renditje.
| Statistika nga karriera e trajnerit Ardian Nuhiu dhe periudha
1 x Kampion – (2020) |
||||||||
| Nr | Klubi | Nat. | Nga | Deri | Rekord | |||
| NL | F | B | H | |||||
| 1 | Shkupi | MKD | 12/12/2016 | 12/03/2018 | 45 | 14 | 15 | 16 |
| 2 | Drita | KOS | 13/02/2019 | 24/11/2022 | 147 | 75 | 37 | 35 |
| 3 | Shkendija | MKD | 11/06/2023 | 12/12/2023 | 20 | 11 | 5 | 4 |
| 4 | Gjilani | KOS | 10/06/2024 | 29/09/2025 | 46 | 16 | 14 | 16 |
| 5 | Tirana | ALB | 31/10/2025 | present | ||||
| Totali | 12/08/2018 | 258 | 116 | 71 | 71 | |||
Ndërkohë ecuria e Oltion Kernajës është më modeste, por do të provojë të fitojë këtë mundësi të artë për karrierën e tij, pavarësisht se ka të veçantën se vijon i drejton paralelisht si skuadrën e parë ashtu edhe atë B.
| Statistika nga karriera e trajnerit Oltjon Kernaja dhe periudha | ||||||||
| Nr | Klubi | Nat. | Nga | Deri | Rekord | |||
| NL | F | B | H | |||||
| 1 | Terbuni | ALB | 28/10/2016 | 31/01/2017 | 9 | 0 | 1 | 8 |
| 2 | Terbuni | ALB | 01/08/2018 | 26/12/2018 | 14 | 8 | 3 | 3 |
| 3 | Luzi United | ALB | 10/07/2020 | 31/05/2021 | 25 | 13 | 8 | 4 |
| 4 | Valbona | ALB | 22/08/2022 | 01/02/2023 | 8 | 5 | 3 | 0 |
| 5 | Valbona | ALB | 22/02/2025 | 31/05/2025 | 10 | 1 | 0 | 9 |
| 6 | Partizani B | ALB | 22/07/2025 | present | 7 | 5 | 1 | 1 |
| 7 | Partizani | ALB | 08/10/2025 | present | 8 | 3 | 4 | 1 |
| Totali | 07/05/2009 | 81 | 35 | 20 | 26 | |||
Derbi i presidentëve
Presidentët R. Halili dhe G. Demi e kanë shndërruar derbin në një trofe më vete. Rezultati në një përballje direkte ka rezultuar deciziv për ecurinë dhe vendimmarrjet e tyre, teksa jo në pak raste kanë larguar nga drejtimi trajnerë për humbjen e kësaj ndeshje, konfirmuar me emrat e N. Dede, H. Lika, F. Lerda apo M. Milenkovic.
Te Tirana R. Halili është në drejtim fillimisht si donator dhe më pas si president nga viti 2004. Ka pjesën e tij në fitimin e 5 Kampionateve, 4 Kupave, 8 Superkupave dhe 14 pjesëmarrjeve në kupat e Europës. Gjatë gjithë kësaj periudhe ka krijuar në mënyrë paradoksale 52 kapituj me trajnerë me bilancin e përgjithshëm 928 ndeshje nga të cilat 450 fitore, 235 barazime dhe 243 humbje. Mes tyre kulmojnë 66 ndeshje derbi me bilancin 20 fitore, 24 barazime dhe 22 humbje.
Ndërkohë G. Demi mori pronësinë e klubit në verën e 2013, duke rinisur një nga periudhat më të mira të klubit të kuq. Ka përqindjen e tij në fitimin e 2 titujve kampion, 2 Superkupave dhe 10 pjesëmarrjeve në Kupat e Europës. Gjatë gjithë këtyre viteve, gjithashtu presidenti Demi e ka ekzagjeruar me ndërrimet e shpeshta të trajnerëve duke mbërritur së fundmi me Kernajën në kapitullin e 28, duke krijuar një bilanc me 548 ndeshje, nga të cilat numëron 267 fitore, 149 barazime dhe 132 humbje. Pjesa më e bukur janë 42 ndeshjet derbi, teksa ka triumfuar në 17 prej tyre, 17 barazime dhe 8 humbje.
Formacionet e mundshme:
Tirana
Tafas – Haxhiu, Dembele, Valerianos, Vera – Rafael, Meta, Vogli – Tabekou, Tare, Fernandes.
Partizani
Qirko – Marku, Janjeva, Bytyqi, Atanaskovski – Doumbia, Ismaili, Human – Toma, Bintsouka, Iskandarli.
Ndeshja luhet të dielën në stadiumin “Air Albania” duke filluar nga 18:00. Biletat kushtojnë nga 500–5000 Lekë.
E dimë që nuk do të jetë derbi që të gjithë do të dëshironim të ishte, por gjithsesi do të luhet një pjesë historie e shumëkujt në këtë qytet, i cili do të mbajë të lidhur informacionin dhe emocionin për këtë 90-minutësh në mënyra nga më të ndryshmet.
Top Channel