Prej disa ditësh asnjë komunikim me fëmijët, 58-vjeçari dhe gruaja gjenden të vdekur në banesë

05/12/2025 17:32

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Greqi, ku një burrë 58 vjeç dhe bashkëshortja e tij 55 vjeçe u gjetën të vdekur brenda banesës së tyre.

Mediat greke raportojnë se çifti ishte shpallur i zhdukur prej ditësh. Policia u njoftua nga fëmijët e çiftit, pasi ata nuk kishin mundur të kontaktonin me prindërit që prej të hënës.

Edhe fqinjët raportuan se nuk i kishin parë prej fillimit të javës, çka ngriti dyshimet dhe çoi në kërkimet e menjëhershme.

Policia sapo mbërriti në vendngjarje, pa trupat e pajetë nga dritarja e shtëpisë. Çifti kishte pak ditë që ishte rikthyer nga Gjermania për t’u vendosur përfundimisht në Greqi dhe po kryente punime në banesë. Ndërkohë, tre fëmijët e tyre jetojnë në Gjermani dhe komunikimi i fundit me ta ishte bërë të hënën.

Trupat e 58-vjeçarit dhe 55-vjeçares do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Komotini, ku do të kryhet autopsia për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak është bërë një rrjedhje gazi, që ka çuar në helmim me monoksid karboni.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta