“Evropa po përballet me rrezikun e zhdukjes së qytetërimit”, Shtëpia e Bardhë: Politikat e migracionit po transformojnë kontinentin dhe po nxisin konflikte

05/12/2025 13:56

“Evropa po përballet me rrezikun e zhdukjes së qytetërimit dhe, nëse trendet aktuale vazhdojnë, Kontinenti i Vjetër “do të jetë i panjohur brenda 20 vjetësh ose edhe më pak”.

Kështu thuhet në një dokument të Shtëpisë së Bardhë që përshkruan strategjinë e re të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Në këtë strategji, administrata e Presidentit Donald Trump deklaron se SHBA-ja do të braktisë rolin e saj global për t’u përqendruar më shumë në Amerikën Latine dhe në luftën kundër imigracionit.

Dokumenti rendit disa çështje që, sipas tij, rrezikojnë historinë dhe kulturën e Evropës.

“Problemet më të mëdha me të cilat përballet Evropa përfshijnë aktivitetet e Bashkimit Evropian dhe organeve të tjera transnacionale që minojnë lirinë dhe sovranitetin politik; politikat e migracionit që po transformojnë kontinentin dhe po nxisin konflikte; censurën e shprehjes së lirë dhe shtypjen e opozitës politike; rënien e lindshmërisë dhe humbjen e identitetit e vetëbesimit kombëtar”, thuhej në shkrim.

Sopas mediave, ndër prioritetet e politikës së SHBA-së për Evropën janë: rivendosja e “kushteve të stabilitetit brenda kontinentit dhe e stabilitetit strategjik me Rusinë”; “mundësimi i Evropës që të qëndrojë në këmbët e veta dhe të veprojë si një grup kombesh sovrane të bashkuara, duke marrë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, pa u dominuar nga asnjë fuqi kundërshtare”. Gjithashtu, dokumenti kërkon “t’i jepet fund perceptimit dhe realitetit të NATO-s si një aleancë që zgjerohet pa ndërprerje”.

Përtej Evropës, teksti thekson se “Indo-Paqësori është dhe do të mbetet një nga fushëbetejat kryesore ekonomike dhe gjeopolitike të shekullit të ardhshëm”. Dokumenti thekson se “Presidenti Trump, i vetëm, ka përmbysur më shumë se tre dekada supozimesh të gabuara të SHBA-së për Kinën — idenë se duke hapur tregjet tona, duke inkurajuar kompanitë amerikane të investojnë atje dhe duke zhvendosur prodhimin industrial, do ta ndihmonim Kinën të integrohej në rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Kjo nuk ka ndodhur”.

Dokumenti shpjegon objektivat për Hemisferën Perëndimore, të cilat përmbledhen në dy terma: “rekrutim” dhe “zgjerim”.

“Rekrutimi nënkupton angazhimin e partnerëve të vendosur në hemisferë për të kontrolluar migracionin, për të ndalur flukset e drogës dhe për të forcuar stabilitetin e sigurinë, si në tokë ashtu edhe në det”, thuhet në strategji. Ndërsa “zgjerimi” nënkupton kultivimin dhe forcimin e partnerëve të rinj, duke rritur njëkohësisht tërheqjen e SHBA-së si partneri i preferuar ekonomik dhe i sigurisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta