Botërori 2026, Italia pret shortin/ Mediat analizojnë skenarët më të mirë dhe më të këqij për “Azzurrët”

05/12/2025 16:32

Në prag të Kupës së Botës 2026, mediat italiane po i kushtojnë vëmendje të madhe shortit të grupeve, i cili do të hidhet sot në orën 18:00 sipas kohës italiane në Uashington D.C.

Turneu i parë në histori me 48 skuadra do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026 në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, ndërsa tensioni për rreshtimin e grupeve po rritet dita-ditës.

Italia nuk e ka siguruar ende matematikisht pjesëmarrjen, por pavarësisht kësaj, ajo tashmë është e përcaktuar në vazon e saj, ndërkohë që 6 skuadra – mes tyre edhe Italia – do të vendosen si “National X” derisa të përfundojnë eliminatoret e marsit.

Shorti në Qendrën “John F. Kennedy for the Performing Arts” do të shpërndajë 48 pjesëmarrësit në 12 grupe me nga katër ekipe, ndërsa ndarja në vazo tashmë është zyrtarizuar nga FIFA. Ndërkohë, kalendari i plotë i ndeshjeve – me datat, stadiumet dhe oraret – pritet të publikohet një ditë pas shortit, pra të shtunën më 6 dhjetor.

Skenari më i keq për Italinë sipas mediave italiane

Sipas analizave të shtypit sportiv italian, një short i pafat mund ta vendosë Italinë përballë një grupi tepër të vështirë. Kombinime si:

Argjentina (Vazo 1)

Maroku (Vazo 2)

Norvegjia (Vazo 3)

përbëjnë një skenar realisht të rrezikshëm, ku çdo ndeshje do të ishte vendimtare dhe kualifikimi do të vihej seriozisht në diskutim.

Skenari më i mirë për Italinë

Nga ana tjetër, një short më i favorshëm mund t’i hapte Italisë rrugën drejt një nisjeje më të lehtë në fazën e grupeve. Kombinime të tilla si:

Kanada (Vazo 1)

Australia (Vazo 2)

Afrika e Jugut (Vazo 3)

përshkruhen nga mediat si “skema ideale” që do t’i jepte Azzurrëve hapësirë për të menaxhuar më mirë energjitë dhe për të shmangur presionin që vjen nga përballjet e mëdha.

Pavarësisht llogarive për skenarët, një mesazh është i qartë në të gjitha mediat italiane: Italia duhet më parë të sigurojë kualifikimin në fushë, në play-off-et e marsit. Vetëm pas kësaj, shorti – qoftë i mirë apo i keq – do të marrë kuptimin e tij të vërtetë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta