23 sulme që nga shtatori, ushtria amerikane godet një tjetër anije që transportonte drogë në Paqësor, raportohet për 4 viktima

05/12/2025 08:36

Ushtria amerikane kreu një sulm ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Paqësorin Lindor, duke vrarë katër persona në bord.

“Forca ushtarake kreu një sulm kinetik vdekjeprurës ndaj një anijeje në ujërat ndërkombëtare. Inteligjenca konfirmoi se anija po transportonte narkotikë të paligjshëm dhe po lëvizte përgjatë një rruge të njohur të trafikut në Paqësorin Lindor. Katër narko-terroristë meshkuj që ndodheshin në bord u vranë”, thuhet në deklaratë.

Sulmi i së enjtes vjen në një kohë kur Pentagoni po përballet me kritika dypartiake për një ndërhyrje të ngjashme në shtator, kur ushtria kreu sulme të dytësuara ndaj një anijeje të dyshuar për drogë, duke vrarë anëtarët e mbetur të ekuipazhit. Të paktën 87 persona janë vrarë deri tani në sulmet ndaj 23 anijeve të tilla, pjesë e fushatës “Operacioni Shtiza Jugore”, e cila sipas administratës Trump synon të frenojë trafikimin e narkotikëve.

Kritikat nuk kanë ndryshuar qëndrimin e administratës. Të enjten, Andrew Kolvet i Turning Point USA iu përgjigj një postimi të senatorit demokrat Chuck Schumer, i cili kërkonte dorëheqjen e Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth.

“Çdo sulm ndaj Pete Hegseth më bën të dua që edhe një tjetër anije narko-droge të shpërthejë e të dërgohet në fund të oqeanit”, shkroi ai.

“Dëshira jote është urdhri ynë, Andrew. Sapo fundosëm një tjetër varkë narkotike”, u përgjigj Hegseth.

Deklarata e Hegseth erdhi pak orë pasi Admirali i Marinës Amerikane, Frank “Mitch” Bradley, informoi ligjvënësit në Capitol Hill mbi incidentin e diskutueshëm të shtatorit, në shqyrtimin më të rëndësishëm të Kongresit për këtë fushatë ushtarake në Karaibe deri më tani.

Sipas ligjvënësve që morën pjesë, videoja e treguar gjatë informimit i ndau ata sipas linjave partiake. Një demokrat i lartë e cilësoi videon si “një nga gjërat më shqetësuese” që ka parë gjatë detyrës së tij, ndërsa kryetari republikan i panelit, Rick Crawford, tha se sulmi i dytë ishte plotësisht i justifikuar. Edhe senatori republikan Tom Cotton mbajti të njëjtin qëndrim.

Shumica e republikanëve kanë shprehur mbështetje për fushatën, edhe pse një sërë ekspertësh ligjorë e kanë cilësuar atë të dyshimtë nga pikëpamja ligjore. Megjithatë, sulmi i 2 shtatorit ka tërhequr kritika dypartiake si një akt i mundshëm kriminal, duke çuar në zotimin e Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit për mbikëqyrje të mëtejshme.

Ndërkohë, Trump ka lënë të kuptohet se SHBA-të mund të përshkallëzojnë më tej ofensivën kundër trafikantëve të dyshuar të drogës, duke thënë në disa raste se ushtria së shpejti do të nisë goditje edhe brenda territorit të Venezuelës.

“Do t’i fillojmë këto sulme edhe në tokë”, tha ai gjatë një takimi të kabinetit të martën. “E dimë ku jetojnë. E dimë ku janë njerëzit e këqij, dhe shumë shpejt do ta nisjmë këtë.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta