Të ndarë në PD, bashkë në sallë/ Mbështetën Salianjin, këshilltarët opozitarë në Bashkinë e Durrësit votojnë njësoj

04/12/2025 19:54

Të ndarë për partinë, por të bashkuar për qytetin. Kjo ishte panorama që u pa qartë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Durrësit, ku në krah të njëri-tjetrit u ulën sërish kryetari i PD-së së qytetit, Ardian Muka, dhe nënkryetari i saj, Dritan Burgija.

Të dy mbeten përfaqësues të zgjedhur të demokratëve në parlamentin vendor, por në këtë moment tensioni të brendshëm në parti, të dy përfaqësojnë qëndrime në konflikt të hapur mes tyre.

Burgija i është bashkuar lëvizjes për ringritjen e PD-së, të nisur nga Ervin Salianji, Ilir Alimehmeti e të tjerë demokratë, një nismë që lidershipi zyrtar i partisë, Sali Berisha dhe drejtuesit lokalë, e ka kundërshtuar ashpër, duke i cilësuar bashkëbisedimet e demokratëve si “takime kafenesh”.

Pas një periudhe të gjatë mungese, në mbledhje u shfaq edhe këshilltari tjetër demokrat, Arlind Boshku, sekretar i PD-së lokale, i cili vetëm një natë më parë u pa po ashtu në krah të lëvizjes së Salianjit. Të njëjtës rryme i janë bashkuar edhe ish-deputeti Pëllumb Berisha, nënkryetar i PD-së në Durrës, ish-drejtuesi i degës Luan Hoti, si dhe sekretari organizativ Nikolin Radovani.

Megjithatë, pavarësisht përplasjes së brendshme, në sallën e Këshillit Bashkiak u vu re një tjetër realitet: Këtë herë këshilltarët e opozitës nuk debatuan me këshilltarët e shumicës dhe së bashku miratuan njëzëri tri pikat e rendit të ditës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta